E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuria shkon, lumturia duhet gjetur...



Ina Zhupa

Stina e bukur e verës është në kulmin e saj, dhe ato që e vuajnë më shumë jemi ne femrat që edhe pse është një stinë e bukur, ne e shikojmë edhe si stinë të frikshme. Stina ku natyra jonë e jashtme është më në pah se kurrë, ku neve na mbulojnë ndjenjat e frikës dhe pakënaqësisë ndaj vetes tonë. Nuk kam dëgjuar deri më sot një femër që të jetë tërësisht e kënaqur nga fiziku që i ka dhënë natyra. Edhe në intervistat e modeleve më të famshme të gjithë mund të vëmë re se janë të pakënaqur nga trupi i tyre. Përse këtë problem nuk kam dëgjuar ta kenë meshkujt, sado të jenë të kujdesshëm për pamjen e tyre, arrijnë ta gjejnë konfortin me vetveten dhe të jenë mirë me të. Ta kesh problem pamjen tënde është gabimi më i madh që bën çdo femër, është një mungesë e thellë besimi në vetvete. Kush na garanton neve që modelet më të bukura janë të kënaqura, janë të lumtura, kanë gjetur dashurinë e vërtetë? Lumturinë nuk e sjell dhe as merr bukuria jote e jashtme.
Ndoshta keni edhe të drejtë shumë herë e kemi dëgjuar këtë edhe na duket të gjithëve edhe mua bashkë me ju si një frazë e gatshme thjesht për të dhënë pak kurajë kur nuk je e bukur. Po nëse ne e mendojmë është e vërtetë që bukuria e jashtme është një kartëvizitë e cila bën paraqitjen tënde të parë tek njerëzit që nuk të njohin, ashtu siç është e vërtetë që të kesh një fytyrë të bukur dhe trup të bukur nuk të bën dëm. Nuk është e vërtetë që po je një femër e bukur duhet të jesh domosdoshmërisht “e trashë” dhe po je një femër më pak e bukur duhet të jesh domosdoshmërisht “e zgjuar”. Ka vajza të bukura dhe të zgjuara ashtu siç ka të shëmtuara edhe të trasha. Sepse nuk ekziston asnjë lidhje mes bukurisë së jashtme edhe asaj që ti je.
Këto janë gjëra të cilat ne i kemi sajuar vetë dhe kemi bërë gabim, sepse qëllimi ka qenë të jepnin kurajë vajzave më pak të bukura, por realisht kemi gabuar sepse krijojmë një lidhje artificiale të pamjes së jashtme me cilësitë e brendshme të femrave. Duhet të mësojmë të mos krahasohemi me modelet apo artistët që dalin në televizion, televizioni gënjen më shumë se çdo gjë tjetër, kanë staf të madh truku, kompjuterik që edhe mostrin e Frankejshtanit të duket i bukur nga televizioni.
Të mësojmë ta duam veten për atë që jemi, për atë që e ndjejmë veten. Mos ta lejojmë pamjen e jashtme të na kushtëzoj jetën, të na bëj rob të saj, të na mbushi me frikë, që nuk na lejon ta bëjmë jetën si e duam. Ne meritojmë të na duan për atë çka jemi, për atë çka ndjejmë, çka mendojmë, dhe jo për pamjen e jashtme të cilën na e kanë dhuruar dhe nuk e kemi krijuar vetë. Të duam vetën është hapi i parë për të dashur të tjerët dhe për të qenë i lumtur. Lumturia nuk blihet e bukurinë e trupit tënd, nuk blihet as me paratë e kirurgjisë plastike. Ajo krijohet ditë pas ditë, me vlerat tuaja, me mundimin tuaj për të bërë gjërat e duhura në jetë. Gra të mrekullueshme që kanë një familje të mirë, një punë të mirë dhe dashuri rreth tyre dhe që nuk ndjehen mirë sepse nuk i pëlqen pamja e tyre fizike, vajza të mrekullueshme që studiojnë, punojnë, kanë një jetë të bukur dhe nuk ndjehen mirë se nuk i pëlqen pamja e tyre fizike. Kjo është të shkatërrosh lumturinë më duart e tuaja.
Unë nuk ju them që të jeni gra mendjelehta dhe të mos kujdeseni për pamjen e jashtme, sepse ju duhet të kujdeseni për pamjen tuaj. Ashtu siç kujdesemi për botën tonë të brendshme duke studiuar, lexuar, punuar, biseduar, ashtu duhet të kujdesemi për pamjen tonë të jashtme. Por të lejojmë që jeta jonë të kushtëzohet nga një defekt i vërtetë apo një defekt i sajuar nga truri ynë është çmenduri dhe mendjelehtësi.
Ku janë këta burra perfekt, të cilët nuk kanë asnjë defekt dhe kanë një bukuri hyjnore? Unë nuk kam parë ndonjë, edhe ju jam e sigurt nuk e keni parë sepse nuk ekziston. Ashtu siç nuk ekziston edhe femra perfekte. Ekzistojmë vetëm ne që jemi qenie të ndryshme nga njëra-tjetra dhe duhet të jemi krenare për atë që jemi, ashtu si edhe meshkujt për atë që janë.
Hidhini një sy të gjitha reklamave që jep televizioni dhe do të vini re që të gjitha produktet që reklamohen, kanë një të përbashkët japin të gjithë publicitet aftësive të tyre për të mos të shëndoshur, për të mbajtur trupin në formë apo për të dobësuar. Nëse kjo do të ishte e vërtetë si ka mundësi që ne duke ngrënë ato produkte, ose duke përdorur ato mjete që reklamohen nuk bëhemi modele siç janë ato në reklamë. Nuk e kuptoni pse bëhet kështu reklamimi? është shumë e thjesht, duke qenë se ata që përgatisin reklamat jetojnë me realitetin e përditshëm, e dinë fare mirë që pika jonë e dobët është një pamja sa më e mirë fizike, kjo i çon ata në bindjen e plotë se duke na prekur në këtë pikë të dobët do të shesin çfarëdolloj produkti qoftë. Se ne jemi të sëmura nga mendja, mendjelehta duam vetëm të jemi me masë 38-40.
Shëndeti i tepërt nuk është një mungesë e ushqimeve të duhura, por është një çështje shumë më e thellë se kaq. Dhe arsyen kryesore e gjejmë tek bota jonë e brendshme, tek pesimizmi, tek stresi, tek lodhja, tek problemet, tek organizmi juaj, tek origjina familjare. Të cilat nuk zgjidhen duke bërë lloj - lloj dietash, duke blerë lloj - lloj produktesh që të dobësojmë, por duke u ndjerë mirë më veten. Duke u munduar të kuptojmë më shumë për atë çka na bën të ndjehemi më mirë brenda, dhe kur t’ja kemi arritur qëllimit, atëherë duhet të dalim para pasqyrës dhe të jeni të bindura që veten atëherë do jeni shumë të bukura dhe të kënaqura me atë që jeni.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›