Prokuroria nis shqyrtimin e procesverbaleve për vlerësimin e dëmeve në Gërdec
TIRANË - Prokuroria e Tiranës ka marrë në administrim procesverbalet e mbajtura nga ekspertë që vlerësuan dëmet e shkaktuara nga ngjarja e 15 marsit në fshatin Gërdec të bashkisë së Vorës. Burime nga organi i akuzës në kryeqytet pohuan të martën se grupi hetimor po shqyrton materialin zyrtar te përgatitur nga ekspertet që bënë vlerësimin e dëmeve në zona të bashkisë së Vorës. Sipas këtyre burimeve, hetuesit janë duke bërë edhe ekspertizat përkatëse për të parë nëse ka abuzime në llogaritjen e dëmeve në këtë zonë. Në funksion të hetimeve për zbardhjen e kësaj çështjeje prokuroria po mbledh të dhëna edhe nga bashkia e Vorës, ku punonjës të saj kanë dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Hetimet për këtë çështje nisën pak kohë më parë, kur policia, mbi bazën e verifikimeve në terren ngriti dyshime për përllogaritje të bëra gabim nga disa eksperte gjatë procesit të vlerësimit të dëmeve në zonën e bashkisë së Vorës.
Policia prangos 43 - vjeçarin për kanosje dhe armëmbajtje pa leje
TIRANË - Forcat e policisë të Komisariatit Nr. 4 në Tiranë arrestuan të hënën shtetasin Esat Memia, 43 vjeç, nën akuzën e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës thanë të martën për ATSH-në, se arrestimi i 43-vjeçarit Memia, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet një armë zjarri, pushkë e prodhimit gjerman dhe 10 fishekë, me të cilën ai kishte kanosur bashkëshorten e tij. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi iu kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme për veprat penale të “kanosjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”.
3 Shtator 2008