E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtojnë 4 banesa, morën flakë mullarët e barit



KUKËS - Punonjësit e repartit të zjarrfikësve të Kukësit arritën të shpëtojnë nga flakët gjatë mbrëmjes së hënë katër shtëpi të ndërtuara shumë afër njëra-tjetrës, në lagjen Gostil të qytetit. Zjarri, që kishte rënë rreth orës 22:00 të dy ditëve më parë në një nga mullarët e barit, që ndodheshin pranë banesave, arriti deri te dritaret e njërës nga shtëpitë. Përpjekjet e zjarrfikësve për izolimin dhe shuarjen e flakëve vazhduan gjatë gjithë natës. Zjarri, që mendohet se u shkaktua nga pakujdesia, dogji një sasi të konsiderueshme baze ushqimore për blegtorinë dhe një sasi dërrasash - material ndërtimi.

Kapet shoferi i linjën Tiranë-Athinë, futi Malboro kontrabandë

GJIROKASTËR – Një 42 vjeçar ka tentuar të fusë cigare kontrabandë përmes linjës ndërkombëtare të autobusëve, por ka rënë në pranga. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje në mëngjes, rreth orës 01.30 gjatë një kontrolli të ushtruar në vendin e quajtur N.SH.N., në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, në autobusin e linjës Athinë - Tiranë, janë gjetur 2 koli me cigare, të cilat ishin pa pullë fiskale. Malli ishte në bagazhin e autobusit tip BOVA, me targë TR 42 96 L, me drejtues shtetasin Martin Gjini, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. Cigaret e markës “Malboro Ligths”, ishin me mbishkrimin “Duty Free”. Ky shtetas i kishte futur këto paketa në territorin shqiptar në mënyrë kontrabandë. Policia bëri ndalimin e shoferit 42-vjeçar pasi akuzohet për veprën penale të “kontrabandës me mallra që paguajnë akcizë”.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›