Nis gjykimi i masakrës së Cërrikut
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda deklaroi dje të hapur procesin gjyqësor për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në Shqipëri në vitin '97. E njohur si masakra e Cërrikut, si pasojë e një sulmi me armë zjarri mbetën të vrarë 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosën 16 punonjës të Policisë së Shtetit. Të pandehur në këtë proces janë nëntë persona, kryesisht banorë të Cërrikut, të cilët janë arrestuar vitin e kaluar pas një operacioni të mirorganizuar nga Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Institucioni i akuzës së krimeve të Rënda kreu hetime për muaj me radhë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Por seanca e parë e këtij procesi, e cila ishte planifikuar për t'u zhvilluar ditën e djeshme, u shty për javën e ardhshme për shkak se në sallën e gjyqit mungonin disa nga përfaqësuesit e mbrojtjes ligjore të të akuzuarve si autorë të kësaj ngjarjeje. Ndaj të pandehurve të këtij procesi prokuroria ka formuluar akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Nga hetimet ka rezultuar se në datën 22 maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa persona Posta e Policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e policisë.
Ngjarja
Sipas Prokurorisë, më datë 22 maj të vitit 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e policisë nga kjo postë. Të nesërmen forca të policisë së Komisariatit Elbasan të drejtuara nga shefi i komisariatit të asaj periudhe Agron Kuliçaj në bashkëpunim me forcat speciale (Garda e Republikës) kanë vajtur në qytetin e Cërrikut për të rivendosur rendin dhe për të grumbulluar armë të cilat gjendeshin nën posedimin e civilëve të ndryshëm. Ndërkohë, të pandehurit Llazar Bicja dhe Meti Bozi të ardhur në dijeni të lëvizjeve të forcave policore në qytetin e Cërrikut, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të Policisë. Për këtë arsye, këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 në Lagjen Nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e shtetasit Eduart Peqini, i njohur me pseudonimin “Mandela”.
Organizimi
Të pandehurit Meti Bozi e Llazar Bicja kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë, të cilët do të lëviznin nëpër qytet duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre. Po ashtu, këta të pandehur kanë nxitur të pandehurin tjetër Roland Sota (Xhepexhiu) dhe bashkëpunëtoret e tij të pozicionohen në tarracat e qytetit dhe të godasin efektivët e policisë. Të njëjtin veprim kriminal këta shtetas kanë bërë dhe me disa persona të tjerë të qytetit të Cërrik-ut, duke i nxitur të pozicionohen në tarracat e disa pallateve të tjera dhe duke iu sugjeruar të qëllojnë në rast kundërpërgjigjeje të forcave të policisë. Pas këtij organizimi, të pandehurit Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, së bashku dhe me shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, dhe Bashkim Buzani të armatosur me armë zjarri të ndryshme janë pozicionuar brenda ambienteve të Kinemasë së qytetit të Cërrik-ut, duke zënë pozicione në dritaret e kinemasë dhe në tarracën e saj.
I pandehuri Roland Sota (Xhepexhiu) me bashkëpunëtorët e tij të armatosur me armë të ndryshme janë pozicionuar në tarracën e pallatit që ndodhet rreth 200 m larg kinemasë. Po ashtu dhe shtetas të tjerë janë pozicionuar në disa tarraca pallatesh të armatosur me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm si automatikë kallashnikovë, pistoleta, granata, kundërtanke etj.
Box
Të pandehurit
1. Llazar Bicja
2. Meti Bozi
3. Arjan Toska
4. Roland Sota (Xhepexhiu)
5. Alban Toska
6. Skënder Cani
7. Tomorr Buzani
8. Bujar Buzani
9. Entel Gashi
Box
Akuzat që janë ngritur për të pandehurit
1- “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” ndaj punonjësve të policisë dhe ushtarakëve gjatë detyrës, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasve Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Sali Martini, Qemal Mehmeti dhe Petrit Ndoi, (efektivave të policisë, Gardës së Republikës), vepra penale të parashikuara si krim nga neni; 79 germat “c”, “dh” e 25 të Kodit Penal, (sipas dispozitave favorizuese të Ligjit nr. 8733, datë 24.01.2001).
2- “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” të mbetur në tentativë, ndaj punonjësve të policisë dhe ushtarakëve gjatë detyrës, kundër dy ose më shume personave, të kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasve Gjergj Gjoka, Ded Margjoka, Ferd Laska, Pjetër Nikolli, Petrit Guda, Agron Kuliçaj, Pashk Ndreca, Dritan Hasa, Agim Biberi, Paulin (Vladimir) Ndoka, Petrit Nikolli, Luan Prenga, Fari Metaliaj, Petrit Gjoka, Pashk Doda dhe Sokol Kuça, (efektivave të Policisë, Gardës së Republikës), vepra penale të parashikuara si krim nga neni; 79 germat “c”, “dh”, 22 - 25 të Kodit Penal, (sipas dispozitave favorizuese të Ligjit nr. 8733, datë 24.01.2001).
3 Shtator 2008