Komuniteti Mysliman dënon mos lejimin e nxënëseve në mësim prej ferexhesë
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh revoltë për pengimin në ditët e fundit të dy nxënësve në arsimin parauniversitar, për t’u futur në mësim, për shkak të ferexhesë. Në një njoftim për mediat, ky komunitet e konsideron si të nxituar prononcimin e ministrit të Arsimit, Fatos Beja. Sipas përfaqësuese të komunitetit mysliman, qëndrimi ndaj shamive myslimane është një hap mbrapa, sidomos në një kohë kur Shqipëria është bërë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe pretendon të aplikojë për anëtarësimin në BE. Në vazhdën e përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi kryetari i KMSH-së ka kërkuar edhe një takim zyrtar me ministrin e Arsimit, por komunikohet se, ai nuk ka kthyer ende asnjë përgjigje. Duke përfituar nga kjo deklaratë Komuniteti Mysliman shpreh indinjatën e tij dhe të gjithë myslimanëve që përfaqëson ndaj fenomenit të përsëritur të privimit të vajzave me shami nga e drejta kushtetuese për arsimim, duke deklaruar edhe njëherë se veshja e vajzave myslimane me shami koke nuk është simbol dhe indoktrinim fetar, por një obligim i besimit islam. Në qëndrimin e tyre tashmë të bërë zyrtar, përfaqësues të besimit islam në Shqipëri, argumentojnë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i garanton çdo shtetasi të drejtën e arsimimit dhe të lirisë së besimit. Për këtë arsye Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, kërkon që këtij problemi ti jepet rrugëzgjidhje brenda kornizave kushtetuese.
6 Prill 2009