Qendrat Shëndetësore ndajnë personelin mjekësor sipas moshës së pacientëve
Rregulla të reja për kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve. ISKSH-ja përcakton detyrat për mjekët në qendrat shëndetësore
Emanuela Sako
Specialistët e Shëndetësisë kanë vendosur që në të gjitha qendrat shëndetësore shërbimi shëndetësor të ndahet sipas kategorive të pacientëve. Kjo ndarje nënkupton që kujdesi shëndetësor për të rriturit të ndahet në tri pjesë për shkak të karakteristikave të sëmundshmërisë që kanë pacientët e moshave të ndryshme. Në këtë mënyrë, të rriturit nga 14-65 vjeç do të kenë një personel të veçantë, që do të kujdeset për shëndetin e tyre. Po kështu është parashikuar edhe për të moshuarit mbi 65 vjeç si dhe kujdesi për shëndetin mendor. Kjo ndarje është bërë në mënyrë që të gjithë qytetarët të marrin mjekimin e duhur nga mjekë të kualifikuar, sipas ndarjes që do të bëhet nga qendrat shëndetësore për personelin. Ndërkohë që kujdesi shëndetësor në rastet e urgjencave është ndarë në shërbim me një turn dhe me tre turne, për të dhënë mundësinë që QSH, sipas një liste të përcaktuar nga ISKSH dhe MSH, të kenë mundësi që të organizojnë punën brenda QSH pa ndërprerje.
Qendrat
Rregullat për qendrat shëndetësore do të ndryshojnë në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimit dhe që qytetarët në zonat e largëta të vendit të mund të marrin shërbim shëndetësor në çdo kohë.
Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar të gjitha qendrat shëndetësore që do të qëndrojnë hapur 24 orë për të pritur rastet e urgjencave. Vendimi është dhënë pasi në shumë fshatra apo qytete të vogla mungon shërbimi i urgjencës dhe pacientëve nuk u jepet mundësia e marrjes së ndihmës së menjëhershme. I gjithë personeli që do të qëndrojë në pritje të urgjencave do të përfitojë një shtesë page nga fondi i qendrës shëndetësore përkatëse. MSH-ja ka marrë masa për trajnimin e mjekëve të urgjencave në të gjithë vendin. Për rritjen e shërbimit, rreth 50 mjekë të shërbimit të urgjencave në të gjithë vendin u certifikuan për dhënien e shërbimit shëndetësor në përballimin e traumave të rënda. Ky kurs nisi në fillim të muajit mars dhe u zhvillua në kuadër të reformës spitalore si dhe asaj të urgjencave nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë që pritet të kryhen specializime të tjera të këtij personeli, pasi është parë e domosdoshme që mjekët të veprojnë me saktësi në pritjen e urgjencave.
Rritja
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur një shtesë page për të gjithë mjekët që do të qëndrojnë në punë jashtë orarit. Në këtë mënyrë parashikohet dhënia e një shtese në pagë për kushte pune për mjekun pediatër që punon si konsultor. Kjo shtesë nuk ishte parashikuar në udhëzimin e mëparshëm. Po kështu, parashikohet edhe shtesa për kushte pune për vendin e punës si infermiere në kirurgjinë vazale. Të dyja shtesat e mësipërme, të cilat janë përkatësisht 1100 lekë në muaj për mjekun pediatër në konsultore dhe 1000 lekë në muaj për infermiere në kirurgjinë vazale, përballohen nga buxheti i vitit 2009 i qendrave shëndetësore. Këto rregulla janë përcaktuar nga kontratat e reja që janë përcaktuar me qendrat shëndetësore. Kështu, për herë të parë janë futur detyrat e Drejtorive të QSH-ve në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i kontratës si dhe janë përcaktuar në një nen të veçantë sanksionet dhe procedurat e shkeljeve dhe të ankimimit. Pjesë e kësaj kontrate është edhe aktiviteti i përditshëm i stafit mjekësor. Kjo metodë do të përdoret për herë të parë dhe bëhet për të shmangur abuzimet nga ana e mjekëve. Në raportet e fundit ka rezultuar se mjekët nuk raportojnë vizitat dhe abuzojnë me barnat.
6 Prill 2009