Bulevard, policia prangos 9 studentë, sekuestron 2 kg kanabis
Policia përfundon me sukses një operacion antidrogë duke vënë në pranga 9 persona dhe sekuestruar plot 2 kg kanabis sativa. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë për gazetën “Shqip” se ishin hetimet e kryera me metoda speciale ato që i çuan inspektorët e antidrogës në finalizimin e operacionit “Bulevard”. Personat e arrestuar në flagrancë janë 9 studentë të një universiteti jopublik. Prangosja e të rinjve është bërë në afërsi të bulevardit “Zogu I”, teksa ata po mundoheshin të kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm. Burime policore thanë se kanë prova të pakundërshtueshme për aktivitetin e të rinjve në disa zona të kryeqytetit. Ndër personat e dërguar tashmë në dhomat e izolimit është edhe një femër e identifikuar si Xhoana Guçe, 18 vjeç, lindur në Berat. Përveç saj në prangat policore kanë rënë edhe Klevis Malaj, 19 vjeç, Alban Belulaj, 20 vjeç, Ergys Hasaj, 20 vjeç, të tre nga Berati, Armand Beaj, 22 vjeç, Gerin Hasaj, 20 vjeç nga Fieri dhe Albano Kolonjari, 20 vjeç, Ervin Taullau, 27 vjeç, Gjergj Ndini, 20 vjeç, nga Lushnja.
#