Kryediplomatët draft-rezolutë për Kosovën
Kosova ka qenë interesi kryesor i pjesëmarrjes së Shqipërisë në sesionin e 37 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike mbajtur në Dushanbe të Taxhikistanit. Numri dy i qeverisë, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, duke folur në këtë aktivitet, ka vlerësuar kontributin e organizatës në legalizimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. “Në sesionin tonë të 36 në Damask, ne miratuam me konsensus Rezolutën Nr. 12/36 Pol ‘Mbi situatën në Kosovë’. Kjo Rezolutë...përbën një dëshmi të qartë të solidaritetit dhe angazhimit të sinqertë të organizatës sonë ndaj vlerave të lirisë dhe progresit...Shqipëria beson se miratimi i projektrezolutës mbi situatën në Kosovë gjatë këtij sesioni do të jetë një sinjal i qartë dhe pozitiv si dhe një hap inkurajues përpara nga shtetet anëtare të OKI-së, për zhvillimet e mëtejshme në Kosovë”, është shprehur Meta. Përpjekjen e vet diplomatike lidhur me Kosovën, ai e ka shtirë edhe në takimin me Presidentin e Taxhikistanit, Emomali Rahmon. Sipas njoftimeve për shtyp të Ministrisë së Jashtme, gjatë bashkëbisedimit është folur rreth mundësisë së intensifikimit të vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve, duke mos neglizhuar problemin e Kosovës si pjesë e çështjeve që vijojnë të debatohen në rajonin ballkanik. Presidenti i Taxhikistanit ka shprehur mirëkuptim për avancimin e njohjeve ndërkombëtare për shtetin e ri në Ballkan, duke miratuar edhe nevojën për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Republikës së Taxhikistanit në forume apo organizata të ndryshme ndërkombëtare.
#