Sherri për tokën plagos fqinjin dhe më pas vret veten
DURRËS - Një burrë është nisur për të vrarë fqinjin, të cilin e ka plagosur rëndë dhe më pas ia ka drejtuar armën vetes. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme, rreth orës 14:00, në qytetin e Durrësit. Konflikti mes dy familjeve zgjaste prej vitesh dhe kishte motive pronësie. Ata ndaheshin nga një gardh, i cili duket se ishte bërë burim mosmarrëveshjesh. Siç ka bërë të ditur policia, Muhamet Tushku, 55 vjeç, me origjinë nga Librazhdi, ka plagosur rëndë me pistoletë fqinjin 35-vjeçar Aleksandër Brahimi. Autori dhe viktima banonin në Lagjen Nr. 15 të Durrësit dhe pas konflikti mes fqinjësh Tushku ka marrë një pistoletë që e mbante pa leje dhe ka qëlluar mbi Brahimin. Kur ai ka menduar se e kishte lënë të vdekur, i ka hipur makinës dhe është nisur për në zonën e Shkozetit. Në një shtëpi të braktisur autori ka vrarë veten.
Historia
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Spitallë të Durrësit. Por rrënjët e zënkës mes dy fqinjëve ishin të thella. Që vite më parë kishte nisur një sherr mes dy fqinjëve për pronësinë e një copë toke. Mes dy familjeve kishte pasur dhe më parë zënka, por ato ishin mbyllur pa pasoja të rënda. Dita e djeshme ka qenë fatale. Sherri mes dy familjeve kishte nisur që në mëngjes. Zënka ka vazhduar për disa orë, por në mesditë ajo është bërë më e ashpër. Pasi janë zënë për orë të tëra, 55-vjeçari Tushku ka vendosur që t’u jepte fund njëherë e mirë zënkave disavjeçare. Ka hyrë në banesë, ka marrë armën, një pistoletë e llojit “TT” dhe ka dalë jashtë. Pasi ka parë fqinjin e tij ai ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar Brahimin në kokë. Me idenë se e kishte vrarë Tushku është ngjitur në makinën e tij dhe është larguar së bashku me të birin. Por, në një moment është ndaluar në një magazinë të vjetër në Shkozet. Pak pasi është larguar i biri ai ka marrë armën që kishte në makinë dhe e ka drejtuar në kokën e tij. E ka shkrepur dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Nga ana tjetër, familjarët e Brahimit e kanë marrë këtë të fundit dhe e kanë dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit. Atij i është dhënë ndihma e parë, por sipas mjekëve, gjendja e tij është shumë e rëndë.
Policia
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu të qytetit bregdetar dhe kanë nisur hetimet. Pasi janë informuar për autorin, kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Disa minuta më pas kanë gjetur makinën e tij në magazinën e braktisur, së bashku me pronarin, i cili i kishte dhënë fund jetës. Për të zbardhur gjithë ngjarjen, policia ka marrë dëshmitë e pjesëtarëve të dy familjeve. Aty është mësuar për sherrin disavjeçar që ato kishin me njëra-tjetrën. Policia tha se do të vazhdojnë hetimet për të zbardhur të gjithë të vërtetën e sherrit, edhe pse fillimisht mendohet se shkaku mund të jetë pronësia mbi një copë tokë që ishte mes dy familjeve.
Policia ka marrë trupin e viktimës dhe e ka transportuar për në morgun e spitalit. Gjithashtu është sekuestruar dhe armë tip pistoletë “TT” dhe është bërë bllokimi i automjetit në të cilën ndodhej viktima.
Ngjarja
Qëllon me çifte mbi 38-vjeçarin, Vila në kërkim
SHKODËR - Qëllon me çifte dhe plagos 38-vjeçarin. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Golem të Shkodrës dy ditë më parë, në orët e pasdites. Burime zyrtare nga policia lokale kanë bërë të ditur se është shpallur në kërkim Besnik Vila, pasi është personi që ka qëlluar ndaj Z. Binakut, 38 vjeç. Sipas tyre, në orën 17:30, në fshatin Golem të komunës Rrethina, Besnik Vila, 32 vjeç, banues në këtë fshat, ka tentuar të vrasë me armë gjahu çifte, për motive të dobëta, 38-vjeçarin, Z. Binaku. Policia tha se i plagosuri ndodhet në Spitalin rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja kishte filluar disa orë pasi Vila ka marrë armën në banesë që të qëllonte ndaj Binakut. Por fatmirësisht, 38-vjeçari ka marrë plagë pa rrezik për jetën e tij dhe është nisur me urgjencë në drejtim të spitalit. Me anë të një telefonate është njoftuar dhe policia. Këta të fundit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Është ngritur grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore dhe procedurale. Pas hetimeve të para është bërë dhe identifikimi i autorit të plagosjes së rëndë. Burime zyrtare thanë se autori i ngjarjes është Besnik Vila. Pas zbulimit të autorit është bërë shpallja e menjëhershme në kërkim e tij dhe po punohet për kapjen. Gjatë hetimeve, policia ka mundur të bllokojë dhe prova. Uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armën me të cilën është kryer krimit, çiftja që autori e mbante pa leje. Pas hetimeve dhe bërjes gati të dosjes, policia e ka dërguar atë se bashku me materialet, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të shtetasit Besnik Vila. Ai është vënë nën akuzën e “vrasjes me dashje e mbetur ne tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të gjahut”.
Procesi
Dorëhiqen avokatët e Lulzim Berishës, gjykata i zëvendëson
Avokatët e Lulzim Berishës japin dorëheqjen. Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia, në mënyrë demonstrative, kanë lënë sallën e gjyqit duke mos iu bindur as trupit gjykues, që disa herë i kishte paralajmëruar për shkelje të etikës gjyqësore dhe marrjes së fjalës pa pyetur më parë kryesuesin e seancës. Mbrojtja është shprehur se jep dorëheqje për shkak se trupi gjykues, gjatë gjithë kohës është treguar i njëanshëm në marrjen e provave dhe se jo në pak raste ka bërë komunikim jo ligjor me ta. Një reagim tjetër i avokatëve ka të bëjë edhe me pyetjen e dëshmitarëve dhe mënyrën se si janë trajtuar ata nga ana e akuzës. Sipas tyre, dëshmitarët manipulohen në disa raste nga prokurorët dhe kjo është në dëm të procesit. Por, gjykata u ka bërë të ditur dy mbrojtësve se duhet të zbatojnë Kodin e Procedurës Penale. Sipas këtij kodi, edhe në rastet kur jepet dorëheqje, avokatët duhet të qëndrojnë në mbrojtje të interesave të klientëve të tyre derisa të zëvendësohen. Menjëherë pas largimit nga salla, Gurali Brahimllari ka bërë zëvendësimin e dy avokatëve me ata kryesisht. Në këto kushte ai u la kohë për t’u njohur me dosjen, me qëllim vazhdimin e seancës ditën e enjte.
4 Maj 2010