E Diel, 1 Nëntor 2026

Një padi më shumë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Mihal Delijorgjin

Familja me katër anëtarë kërkon si dëmshpërblim 19 milionë lekë

Laureta Rryçi

Kryesekretaria e Gjykatës së Tiranës regjistroi një tjetër padi civile me palë kundërshtare Ministrinë e Mbrojtjes, MEICO-n dhe shoqërinë “Albademil”. Familja nga fshati i tragjedisë, Gërdeci, më shumë se dy vite nga dita e ngjarjes ka vendosur të kërkojë dëmshpërblim për pasojat që patën nga shpërthimi. Sabri Kodra, bashkë me gruan Fiqirete dhe dy anëtarët e tjerë të familjes, kërkojnë si dëmshpërblim 19 milionë lekë. Në padinë e depozituar familja e dëmtuar e ka specifikuar dëmshpërblimin duke kërkuar masë të ndryshme financiare për secilin. Në padi thuhet se pala e paditur është Ministria e Mbrojtjes, shoqëria "Albademil" sh.p.k., shoqëria "MEICO" sh.p.k. Nëpërmjet kësaj padie civile, familja Kodra kërkon shpërblim dëmi pasuror e jopasuror në shumën prej 19 000 000 lekë të ndarë: për paditësin Glodian Kodra në shumën 13 000 000 lekë; për paditësen Fiqirete Kodra në shumën 2 000 000 lekë; për paditësin Sabri Kodra në shumën 1 500 000 lekë; për paditësen Rajmonda Kodra shumën 2 500 000 lekë. Padia tashmë i ka kaluar procedurat e para të shortit elektronik dhe i ka rënë për shqyrtim gjyqtarit Agim Bendo.
Paditë
Padia e familjes Kodra nuk është padia e parë civile që depozitohet nga të dëmtuarit prej tragjedisë së Gërdecit. Banorët e këtij fshati janë ndarë në grupe të ndryshme dhe kanë depozituar një sërë padish duke kërkuar dëmshpërblim secili sipas llogarive që kanë bërë mbi pasojat që u kanë ardhur pas shpërthimit të fabrikës ku demontoheshin municione të kalibrave të ndryshëm. Vetëm pak kohë më parë, i plagosur nga tragjedia e Gërdecit, Bashkim Muka, paditi qeverinë dhe firmën private “Albademil” për humbjen e krahut të tij. Sipas padisë së depozituar në Gjykatën e Tiranës, Muka kërkonte që t’i caktohej një pension invaliditeti nga Këshilli i Ministrave, si dhe dëmshpërblim financiar nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga firma që kishte marrë përsipër demontimin e municioneve në Gërdec. Bashkim Muka ka humbur njërin krah nga ngjarja, si dhe ka pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Objekti i padisë ishte: “Shpërblimi i dëmit të rrjedhur nga dëmtimi i shëndetit fizik dhe psikik, si dhe shpërblimi i dëmeve të tjera rrjedhur nga fitimi i munguar”. Gjyqtari që do të gjykojë këtë padi është Arben Kostandini, ndërsa ende nuk është caktuar seanca e parë. Ndërkohë që është dhe një padi tjetër me një grup të dëmtuarish, të cilët kërkojnë si dëmshpërblim vlerën financiare prej 36 milionë lekësh.
Procesi
Tragjedia e Gërdecit po gjykohet në Gjykatën e Tiranës. Dosja ka plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve janë të vetmit në arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Vetëm 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku demontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.

box
Për Gërdecin, padi edhe në Strasburg
Gjykata e Strasburgut pranon të gjykojë padinë e banorëve nga Gërdeci. Zamira Durdaj, që humbi djalin 7-vjeçar ditën e tragjedisë, duket se e ka vënë në rrugë të mbarë betejën ligjore me shtetin shqiptar. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë se padia civile nuk duhej të gjykohej me padinë penale, ajo iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar këtë vendim. Mirëpo Kushtetuesja, pa e nisur shqyrtimin, vendosi ta rrëzojë këtë kërkesë. Durdaj, e cila ndjek rregullisht të gjitha proceset për Gërdecin, përpiloi e vetme padinë duke ia drejtuar kësaj radhe Gjykatës së Strasburgut. Fillimisht asaj i erdhi një shkresë që kërkesa e saj duhej të shoqërohej me një sërë dokumentacionesh. Ndërsa vetëm pak kohë më parë Durdaj ka marrë një tjetër shkresë zyrtare nga Strasburgu. Kësaj here për të është një lajm edhe më i mirë. Asaj i është komunikuar zyrtarisht se kërkesa e saj i përmbush kriteret për t’u gjykuar nga kjo gjykatë dhe në ditët në vazhdim ajo do të njoftohet për datën e seancës së parë.

Të dhëna për padinë e depozituar

Paditësit: Fiqirete Kodra, Glodian Kodra, Rajmonda Kodra, Sabri Kodra
Të paditurit: Ministria e Mbrojtjes, shoqëria "Albademil" sh.p.k., shoqëria "MEICO" sh.p.k.
Lloji i Çështjes: Padi shkaktim demi (Neni 608-654)
Baza ligjore: Neni 608 - 654
Objekti: Shpërblim dëmi pasuror e jopasuror në shumën prej 19 000 000 lekë të ndarë: 1. Për paditësin Glodian Kodra në shumën 13 000 000 lekë 2. Për paditësen Fiqirete Kodra në shumën 2 000 000 lekë 3. Për paditësin Sabri Kodra në shumën 1 500 000 lekë 4. Për paditësen Rajmonda Kodra shumën 2 500 000 lekë.
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Agim Bendo

Të dhëna zyrtare pas tragjedisë që janë në dosjen për gjykim

26
viktima është bilanci i shpërthimit të fabrikës së demontimit
27
persona u plagosën rëndë nga tragjedia më e rëndë që ka ndodhur në Shqipëri
109
persona u plagosën lehtë nga kjo vepër e rëndë penale
67
persona pësuan dëmtime të tjera të lehta nga shpërthimi
61
persona të tjerë u trajtuan në spitale, për të cilët nuk u mundësua përcaktimi i shkallës së dëmtimit
5829
personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë
13
ferma bujqësore dhe blegtorale pësuan shkatërrim total
102 500 000
lekë është dëmi material që i është shkaktuar Shtetit ku përfshihen shkatërrimi dhe dëmtimi i objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre
1 323 600 354
lekë është dëmi material shkaktuar shtetit nga vepra penale e shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura

Ministria e Drejtësisë, arkiv elektronik për ish-të përndjekurit

Ministria e Drejtësisë pritet që këto ditë të inaugurojë arkivin elektronik për ish-të përndjekurit. Nëpërmjet saj, të gjithë aplikuesit për dëmshpërblim mund të marrin informacion mbi fazën e shqyrtimit në të cilën ndodhet dosja e tyre. Nëpërmjet internetit, ish-të përndjekurit do ta kenë më të lehtë të mësojnë mbi dokumentacionet që u mungojnë. Në këtë mënyrë do ta kenë më të lehtë komunikimin me grupin e specialistëve në mënyrë që procesi i shqyrtimit të mos ngadalësohet. Arkiva elektronike ishte një tentativë e provuar dhe kohë më parë nga Ministria e Drejtësisë, por për shkak të fluksit të dosjeve sistemi nuk arriti dot të servirte informacionin e duhur. Burime pranë këtij dikasteri shpjeguan se tani sistemi është disa herë më i sofistikuar.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›