Skandali, policia italiane rreh emigrantin shqiptar se ngriti zërin
FERRARA - Rrihet emigranti shqiptar nga policia e Komisariatit të Ferrarës në Itali vetëm se kishte biseduar me zë të lartë. Ngjarja është bërë publike gjatë ditës së djeshme, edhe pse dhe ka ndodhur më 24 shkurt. Ka qenë publikimi i disa filmimeve të bëra nga kamerat e sigurisë që kanë shkaktuar një furtunë në median e shtetit fqinj, si dhe marrjen e masave nga ana e karabinierëve. Viktimë e këtij sulmi të Policisë italiane, brenda ambienteve të kazermës, është shqiptari 21 vjeç Bledar Mashmi. Për gazetën italiane “Corriere della Sera”, emigranti shqiptar ka treguar gjithë ngjarjen, për të cilën e kanë mbajtur dhe tri ditë në qeli. Gazeta ka bërë të ditur se ende duken shenjat që ka lënë dhuna e ushtruar nga efektivët e policisë. “Shenjat që kam marrë nga goditjet e policisë do të zhduken, po jo turpi që kam qenë tri ditë në qeli”, - ka deklaruar emigranti shqiptar. Ai banon në Rogivo dhe videoja ka bërë xhiron e Italisë pas denoncimit të Luigi Manconi-t, president i shoqatës “A buon diritto”. Pamjet filmike nuk janë të një cilësie të mirë, po shikohen dy djem të shtrirë përtokë, të goditur dhe të rrethuar nga karabinierët me uniformë. Gjithashtu shikohet dhe një i ri i zhveshur dhe që më pas i hidhet një batanije dhe dërgohet në infermieri. Ditën e ngjarjes, Bledari, së bashku me katër miqtë të tij, nigerianin Kelvin Aniaine, rumunin Bogdan dhe ekuadorianët Luis dhe Alan, të gjithë rezidentë në Rovigo, kanë shkuar në Ferrara. “Luis dhe Bogdani donin të blinin pantallona dhe ne iu bëmë shoqëri, duke shkuar me ta në Ferrara. Blemë një shishe rum dhe shkuam në një fast-food që të hanim diçka. Pas këtij momenti Bogdan dhe Kelvin u larguan”, - ka treguar emigranti shqiptar për median italiane. Është ora 18:00 dhe këtu kanë filluar problemet për ta. Sipas Bledarit, ndoshta ngaqë “ishin duke folur me zë të lartë”. Në këtë kohë kanë mbërritur karabinierët, të cilët i kanë marrë të rinjtë dhe i kanë dërguar në kazermë, në rrugën “Campo”. Në këtë pikë ka ndodhur gjithçka. “Sapo kemi hyrë, – ka treguar Bledari, – kam marrë dy shkelma në fytyrë, ndërkohë që një karabinier më ka rrëzuar në tokë. Kur jam ngritur kam dëgjuar dy shokët e mi që ankoheshin nga dhimbjet. Në këtë moment, duke qenë i inatosur, kam filluar duke sharë karabinierët”. Bledari tregon se ishte dërguar në një dhomë të vogël nga katër karabinierë, të cilët më kanë goditur përsëri. “Unë bërtisja dhe dëgjoja dhe dy shokët e mi që thërrisnin. Në këtë moment kam marrë celularin dhe kam marrë urgjencën duke kërkuar ndihmë. Unë dola në kohën kur po vinte shoku ynë, Kelvin, që të sillte dokumentet për të tre ne”. Në rrëfimin e tij, emigranti shqiptar tregon se miku i tij nigerian është zhveshur lakuriq dhe është goditur. “Në këtë kohë unë fillova sërish duke sharë karabinierët”, - ka treguar ai. Shqiptari dhe nigeriani, pas kësaj janë vënë në pranga dhe pse për të kishte sërish “një seancë grushtesh”, pasi e kanë futur në një dhomë të vogël. Pas tri ditësh ata janë liruar, ndërkohë që ndaj tyre do të nisë një gjyq më 11 maj për kundërshtim të policisë.
4 Maj 2010