E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulevardi Lin-Pogradec, Kadilli: Do të rrisë turizmin



Në qytetin e Pogradecit është paraqitur projekti i plotë i ndërtimit të rrugës Lin-Pogradec, një rrugë e cila do të ketë pamjen e një bulevardi që përshkon gjithë vijën e liqenit. Në këtë prezantim, deputeti i zonës, Fatbardh Kadilli, deklaroi se ky është një investim i rëndësishëm, i cili do të shtojë fluksin e turizmit në këtë qytet. Kadilli e vlerësoi këtë investim të veçantë, duke deklaruar se do të ndërtohet bulevardi më i gjatë në Ballkan. Rruga është një investim prej mbi 2 miliardë lekësh, me të cilin bregu i liqenit të Ohrit, nga Lini në Tushemisht, do të ketë një nga bulevardet më të veçanta, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon e më gjerë. Ndërtimi i saj pritet të mbyllet në një kohë të shpejtë, duke i dhënë pamjen turistike gjithë kësaj zone me potencial të madh turistik. Nga ana tjetër, ka përfunduar projekti jo vetëm për kolektorin, por edhe për përpunimin e ujërave për Pogradecin dhe Tushemishtin. Së shpejti fillon kolektori Lin-Pogradec. Njëkohësisht, vlera e tokës ka filluar të rritet ndjeshëm. Kërkesat për të investuar buzë liqenit dhe në qytetin e Pogradecit janë të mëdha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›