Bulevardi i nënshtrohet rikonstruksionit
ELBASAN - Prej javësh bulevardi kryesor i Elbasanit Qemal Stafa është kthyer në një kantier ndërtimi, falë financimit të bashkisë së Elbasanit e cila po investon 50 milion lekë të reja për sistemimin e ujërave të zeza, të bardha dhe pusetat e kullimit. Investimi i konsiderueshëm pritet t'i japë një herë e mirë fund çështjes së përmbytjeve nga reshjet e shiut për të gjitha lagjet, kryesisht ato që janë të vendosura në zonën lindore dhe jugore të qytetit. Investimi konsiston jo vetëm në ndërtimin e kanalizimeve të reja, por dhe në sistemimin e rrugës nga kryqëzimi i teatrit "Skampa" e deri në afërsi të shatërvanit, por dhe shtrimin me pllaka dhe ndërtimin e trotuareve dhe sipërfaqeve të gjelbra. Sipas zyrtarëve të bashkisë Elbasan shuma prej 50 milion lekësh është një shumë që do të përdoret fillimisht, pasi ky investim kërkon më shumë para të cilat pritet të sigurohen nga ana e qeverisë që pritet të jetë bashkë financuese për këtë projekt. Me këtë investime pritet të marrë fund edhe debati i nisur prej kohësh për bulevardin e Elbasanit, për hapjen ose jo të tij para sheshit të Kalasë. Sipas kryebashkiakut Sejdini kur të nisë puna për pjesën tjetër të bulevardit do të shikohet mundësia që pjesa që shërben si shëtitore momentalisht të hapet dhe të jetë e kalueshme për automjetet. a.k