E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, lirohet mjeku i akuzuar për korrupsion

 

TIRANE - Gjykata e kryeqytetit ndryshoi dje masën e sigurisë ndaj mjekut gjinekolog Petrit Rexhepi, duke i dhënë atij mundësinë të rikthehet në vendin e tij të punës në Maternitetin “Koço Gliozheni”. Togat e zeza të kësaj gjykate pranuan dje kërkesën e mjekut të akuzuar për rryshfet për shuarjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, në këmbim të garancisë pasurore. Lajmi u konfirmua nga burime pranë Gjykatës së Tiranës, si edhe nga vetë mjeku Rexhepi, i kontaktuar nga “Panorama”. Referuar vendimit të djeshëm, mjeku i ndaluar më 28 shtator të këtij nga operacioni policor “Trashigmtari” do të qëndrojë në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ndërsa i ishte refuzuar pak kohë më parë, ditën e djeshme togat e zeza të gjykatës së kryeqytetit, pranuan kërkesën e mjekut gjinekolog për ndryshim të masë së arrestit. Gjykata vendosi që në këmbim të garancisë pasurore prej 500 mijë lekësh të lirojë nga “arresti shtëpiak” mjekun gjinekolog. Burime pranë gjykatës së kryeqytetit bënë të ditur se mjeku e ka argumentuar kërkesën e tij për “ndryshim të masës së sigurisë” me nevojën për t’u paraqitur në vendin e tij të punës në Maternitetin “Koço Gliozheni”. Mësohet se mjeku ka sqaruar se qëndrimi në “arrest shtëpie”, i ka ndërprerë në mes një sërë trajtimesh mjekësore të nisura para arrestimit. Ndërkohë që para gjykatës janë shqiptuar edhe emra pacientësh dhe kërkesash prej tyre, në lidhje me vazhdimin e trajtimit mjekësor prej mjekut Rexhepi. Ndërkohë që burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se hetimet në ngarkim të mjekut Rexhepi janë në përfundim e sipër dhe çështja pritet të mbërrijë në gjykatë në ditën të vijim.                                 a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›