Mungon gjyqtarja, shtyhet seanca për Gërdecin
TIRANE - Seanca gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve të dosjes "Gërdeci" në Gjykatën e Tiranës ka dështuar dje për të dytën herë radhazi. Shkaku i shtyrjes së seancës ka qenë i njëjtë me atë të një seance më parë, mosformimi i trupës gjykuese. Mungesa e gjyqtares Fatmira Hajdari, pjesë e treshes gjykuese, e cila ndodhet jashtë Shqipërisë, për arsye objektive familjare çoi shtyrje të seancës. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, relatoi dje se zëvendësimi i gjyqtares me një gjyqtare tjetër nuk vlerësohet e mundur për momentin, për shkak të volumit të madh të dosjes. "Zëvendësimi i gjyqtares me një gjyqtar tjetër do të sillte vonesa në proces, pasi njohja me dosjen do të kushtonte shumë kohë", relatoi gjyqtari Hado, duke vijuar se për këtë arsye gjykata gjykon si të drejtë shtyrjen e seancës. Në seancën e djeshme vetëm një pjesë e vogël e të pandehurve ishin të pranishëm, ndërsa në kafazin e sallës ndodhej vetëm Sokol Gjeci, një prej 4 të pandehurve të arrestuar. Në përfundim gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në 12 nëntor. Dy seanca më parë gjykata deklaroi të hapur procesin me 29 të pandehur të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë. Gjykata u njoh me kërkesën për gjykim të Prokurorisë si edhe me provat që do të sillen në proces nga organi i akuzës, mes të cilave edhe një listë me emrat e 491 dëshmitarëve. ar.ba