Zbulohen grabitësit e komunës
Etleva Delia/ Hasan Pasha
Zbulohen autorët e vrasjes së dyfishtë gjatë grabitjes së 12 milionë lekëve, rroga të komunës, në vitin 1996 në Dibër. Drejtoria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Dibrës dhe Prokurorinë e Matit, kanë identifikuar autorët vrasjes së arkëtarit të Komunës Reç dhe shoferit të autobusit që transportonte paratë e komunës. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se për rreth dy vjet, hetuesit kanë kryer një punë intensive për të identifikuar autorët e vjedhjes me armë, me pasojë vrasjen e arkëtarit Asllan Meçi dhe shoferit Rasim Elezi, ngjarje e ndodhur më 19 nëntor të vitit 1996 në vendin e quajtur Shënlleshën të Dibrës. Policia deklaroi se autorët e ngjarjes tashmë janë identifikuar, por emrat e tyre nuk mund të bëhet publikë për arsye hetimi dhe duke qenë se ata po hetohen edhe për disa ngjarje të rënda që kanë ndodhur muajt e fundit në Tiranë dhe në Dibër. Dy grabitësit mësohet se kanë vrarë disa vite më pas oficerin Myftar Krashi, që po hetonte ngjarjen. Autorët e krimit të dyfishtë, të armatosur dhe të maskuar, u kanë dalë përpara autobusit të pasagjerëve të Komunës së Reçit, kanë vrarë drejtuesin e autobusit, Rasim Elezin dhe arkëtarin e komunës, Asllan Meçin, dhe më pas kanë marrë lekët e Komunës, një shumë rreth 12 milionë lekësh të vjetra.
NGJARJA
Dy vjet hetime intensive të policisë dhe prokurorisë kanë arritur që të zbardhin mekanizmin e një krimi të dyfishtë të ndodhur 13 vjet më parë në Dibër, si dhe të identifikojnë autorët. Sipas të dhënave mësohet se mesditën e datës 19 nëntor të vitit 1996, autobusi i drejtuar nga Rasim Elezi, po lëvizte nga Mati në drejtim të Dibrës. Në autobus ndodhej edhe arkëtari i Komunës Reç të rrethit Dibër, Asllan Maçi, i cili kishte me vete paratë e komunës, që i kishte marrë në Mat dhe do i dërgonte në komunën ku punonte. Gjatë udhëtimit në vendin e quajtur Shënlleshën të Dibrës, persona të armatosur dhe me maska i kanë dalë para autobusit dhe duke i drejtuar armët drejtuesit Elezi, e kanë detyruar që të ndalojë. Brenda pak minutash pasi autobusi kishte ndaluar, personat e armatosur kanë qëlluar me breshëri automatike, nga ku ka mbetur i vdekur në vend shoferi Rasim Elezi. Por shumë shpejt është kuptuar se objekti i sulmit nuk ishte as shoferi dhe as pasagjerët e autobusit, por arkëtari i cili transportonte paratë e komunës. Burimet sqaruan se autorët e maskuar i kanë urdhëruar nën kërcënimin e armëve të gjithë pasagjerët që të zbrisnin dhe të shtriheshin në tokë. Në këtë moment i kanë drejtuar armët arkëtarit Asllan Maçi, të cilit i kanë kërkuar çantën ku mbante paratë. Duke qenë se kanë hasur në rezistencë nga ai, autorët nuk kanë nguruar që ta qëllojnë për vdekje dhe më pas t'i grabisin paratë, shumë prej 12 milionë lekë të vjetra. Policia tha dje se autorët e kësaj ngjarje tashmë janë identifikuar dhe shumë shpejt ata do të prangosen.
Gjykata e Dibrës: “Arrest” për autorët
Pasi janë siguruar të gjitha provat e mundshme, me mënyrat speciale të hetimeve intensive për 2 vite me radhë, Prokuroria e Matit dhe Drejtoria e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, kanë dërguar dosjen në Gjykatën e Dibrës, për autorët e vrasjes së vitit 1996. Sipas deklaratës zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, mësohet se për autorët e kësaj vepre penale, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, me vendim nr.73, të datës 27 tetor 2009, është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për autorët e kësaj ngjarje, të cilët akuzohen për “grabitje me armë me pasojë vdekjen e dy personave”. Tashmë personat e identifikuar si autorë të ngjarjes së 13 viteve më parë, janë shpallur në kërkim dhe policia po punon për arrestimin e tyre. Deri në momentin e ndalimin emrat e tyre nuk mund të bëhen publik për arsye hetimi.