E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Transferimi në burgun 302 i rrezikon jetën Dritan Dajtit”

 

TIRANE – Transferimi i Dritan Dajtit nga Spitali i Burgjeve, për në qelitë e paraburgimit 302 në kryeqytet, ka sjellë reagimin e ashpër të familjarëve të tij, për shkak të kushteve të rënda në të cilat ai ndodhet. Prej tre ditësh, familjarët e Dajtit i janë drejtuar të gjithë institucioneve kryesore të shtetit dhe atyre të drejtësisë, duke kërkuar rikthimin e tij në qelitë e Spitalit të Burgjeve, ku të paktën i sigurohet ndihma dhe konsulenca mjekësore për shkak të paralizës dhe humbjes së ndjeshmërisë nervore, nga e cila vuan që pas plagosjes së rëndë gjatë arrestimit. Dorela Dajti pohoi dje se avokati e kishte dje në qeli bashkëshortin e saj, Dritan Dajtin, dhe se e kishte informuar për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore dhe që stimulohej nga mungesa e kushteve jetësore. Sipas bashkëshortes, Dritan Dajti ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi është paralizuar në të dyja këmbët, si dhe ka humbur totalisht ndjeshmërinë nervore në pjesën fundore të trupit dhe në këmbë. Sipas saj ai nuk mund të komandojë këmbët, ndërsa nuk ka ndjeshmëri kur urinon. “Dritani që nga momenti i arrestimit dhe deri tani nuk mund të urinojë dot lirshëm. Atij i vendosen pampers, të njëjta si një foshnjeje, por edhe me këto ai e ka të pamundur kryerjen e veprimeve normale. Plumbi që i ka dëmtuar palcën kurrizore është shkak që Dritani ka humbur ndjeshmërinë, duke mos kuptuar momentin kur urinon”, tha Dorela Dajti. Sipas saj, dërgimi i tij në Spitalin e Burgjeve do të zgjidhte problemin e ndihmës së nevojshme mjekësore, pasi Dajti ka nevojë për shërbimin “Eko”. Kjo për faktin se vetëm në këtë mënyrë mund të kontrollohet fshikëza e tij e urinës. Sipas bashkëshortes së Dajtit, Spitali i Burgjeve e ka justifikuar transferimin e tij me rikonstruksionin e institucionit, ndërsa dërgon një orë në ditë një punonjës sanitar për t’i ndërruar Dajtit pampersat dhe për ta ushqyer. Kjo për faktin se ky i paraburgosur nuk mund të kryejë asnjë veprim vet. Sipas saj, duke parë këtë gjendje, prindërit e Dajtit dhe bashkëshortja i janë drejtuar me letra dhe kanë kërkuar takime me Presidentin e Republikës, Kryeprokuroren, Ministrin e Drejtësisë, Kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, Avokatin e Popullit, krerët e përfaqësive të institucioneve ndërkombëtare në Tiranë, si dhe mjaft organizatave ndërkombëtare dhe OJQ-ve të ndryshme.                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›