Bulku: Ndeshja e së vërtetës
11/02/2005 “Kundër Vllaznisë, alternativa e vetme e Partizanit janë tri pikët. Në këtë fazë të tretë kemi lëshuar shumë, e mendoj se përballë shkodravnëve duhert të bëjmë ndeshjen e kthesës. Ne do të futemi në fushën e lojës me qëllimin e vetëm për të marrë tri pikët”. Mesfushori i të kuqve Sokol Bulku, duket se është shumë i karikuar para ndeshjes së radhës së ekipit të tij. Të kuqtë do të luajnë të dielën përballë Vllaznisë në një prej sfidave klasike të kampionatit tonë, e gjithashtu dhe një prej ndeshjeve më të rëndësishme të kësaj jave. “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për skuadrën e Partizanit. Përballë nesh do të jetë një kundërshtar shumë i fortë dhe në fushën e lojës do të na duhet të tregohemi shumë të kujdesshmë, për të marrë këto tri pikë. Dihet shumë mirë se si ne edhe kuqeblutë vijmë në këtë ndeshje pas një periudhe jo shumë të mirë. Kuqeblutë kanë humbur në përballjen e tyre të fundit në “Loro Boriçi”, kundër Tiranës, ndërkohë që ne jemi ndalur në barazim kundër Egntaias në fushën e kësaj të fundit. Pra kuptohet se në këtë ndeshje do të shohim përballë dy ekipe, që do të kërkojnë të marrin tri pikët”, vijon më tej Bulku. “Megjithatë, dihet se kush është pozicioni i Partizanit në tabelën e klasifikimi dhe gabimet të tjera nuk mund të na lejohen. Përballë kuqebluve do të pajtohemi vetëm me një fitore. Tra pikë në këtë ndeshje kanë me të vërtetë shumë vlera. Do të mund të ngjiteshim në tabelën e klasifikimit, por mbi të gjitha do të çliroheshim psikologjikisht. Çdo skuadër, që fiton përballë kuqebluve nuk merr vetëm tri pikë, por veç tyre merr edhe një fitore shumë të madhe morale. Besoj se kjo është ajo që i duhet Partizanit në këto momente. Dihet shumë mirë se pas kësaj ndeshje do të kemi një tjetër përballje shumë të vështirë. Nëse në ndeshjen kundër Tiranës shkojmë pas një fitore ndaj shkodranëve besoj se shumë gjëra do të jenë ndryshe. Partizani nuk ka më asgjë për të humbur dhe në këto sfida të radhës, duke fillar me atë që na vë përballë ekipit të drejtuar nga Bici, do të japim maksimumin në fushën e lojës. Unë shpresoj që në fund të këtyre 90-të minutave të kemi marrë edhe tri pikët”, përfundon mesfushori i Partizanit, Sokol Bulku.