E Hënë, 2 Nëntor 2026

Metalurg, interesim për Osmanin

11/02/2005  Mbrojtësi i qendrës së portokallinjve, futbollisti korçar, Tefik Osmani, duket se ndodhet para një angazhimi të dyfishtë. I besuari i Brigelit, në ekipin Kombëtar për takimin e radhës kundër Ukrainës, nuk do t’i shpëtojë edhe syrit të drejtuesve të ekipit ukrainas, së Metalurg Zoporo-Zhies, të cilët kanë qenë në stadium jo vetëm për të parë ekipin e tyre përfaqësues, por edhe për Tefik Osmanin. Më tepër ata do t’i parashtrojnë kërkesën e tyre që ai të luajë për këtë ekip. Metalurgu duket se prej kohësh është hedhur në kërkim të një qendërmbrojtësi, pasi edhe pozicioni i tyre në kampionatin e 12-të, nga 16 ekipe që marrin pjesë, nuk është favorizues dhe mjaft i vështirë, pasi ka filluar edhe faza e dytë. Para pak ditësh ishte lojtari tjetër i Kombëtares sone, Shkëmbi, që firmosi kontratën 2-vjecare per këtë ekip. Menaxheri i Osmanit, Enver Raxha, duket se tashmë ka bindur drejtuesit e Metalurgut për vlerat e tij, kur bisedimet kanë kohë që po zhvillohen. Këtë e pranon edhe Osmani, kur deklaron nëpërmjet linjës telefonike për “Metropol sport” se: “Po, është më se e vërtetë që ekipi i Ukrainës, Metalurg Zoporo-Zhies është i interesuar për mua dhe kam biseduar parimisht, më pas do të njihem me kushtet e kontratës, pasi jam i angazhuar me Kombëtaren. Për mundësine e kalimit, jo gjithcka varet nga unë, pasi kam një kontrate të nënshkruar që më lidh me Elbasanin, deri në përfundim të Kampionatit. Kështu që më ngelet të bisedoj me presidentin Laze, për të më lejuar të kaloj tek ekipi i Metalurgut. Gjatë këtyre ditëve në stërvitjen me Kombetaren, ka vazhduar Osmani – kam qenë nën vëzhgim të teknikut dhe presidentit të ekipit ukrainas, të cilët vazhdojnë të bisedojnë dhe të këmbëngulin për një kalim të tillë. Le të kalojmë njëherë takimin e radhës me Kombëtaren, pastaj le të shohim zhvillimin e ngjarjeve” -ka përfunduar Osmani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›