E Hënë, 2 Nëntor 2026

Starova: Me Lushnjen për tri pikë

11/02/2005  Trajneri i bardhebluve shprehet se kundër lagunarëve të tijtë do të kërkojnë vetëm fitoren në fushën e lojës

Sot Tirana do të luajë kundër Lushnjes, ndoshta në ndeshjen më interesante të kësaj jave në Kampionat. Takimi do të vërë përballë dy nga skuadrat më në formë, ndërkohë që edhe vetë tekniku i bardhebluve, Starova, është shprehur se kundërshtari i radhës meriton respektin maksimal nga të tijtë. “Përballë kemi një ekip shumë të mirë dhe që meriton respektin maksimal nga ana jonë. Lushnja ka luajtur me të vërtetë shumë mirë, sidomos në fazën e tretë të Kampionatit. Për këtë fakt, mendojmë se duhet të tregohemi me të vërtetë të kujdesshëm në këtë përballje”. Duket se kampionët shkojnë në ndeshjen e radhës me shumë probleme, sidomos në repartin e mbrojtjes. Është e konfirmuar tashmë mungesa e Çipit, ndërkohë që me shumë mundësi, vendin e këtij të fundit, do ta zërë me shumë mundësi, Fakaj. Më tej tekniku i kampionëve u shpreh se, edhe njëherë të besuarit e tij do të futeshin në fushën e lojës për të marrë maksimumin. “Normalisht që në këtë ndeshje, synimi ynë i vetëm është të marrim tri pikët. Kemi ardhur në një moment të Kampionatit, ku çdo ndeshje konsiderohet si një finale dhe normalisht, një ndeshje e tillë duhet fituar. Deri tani ne kemi zhvilluar një përgatitje me të vërtetë shumë serioze. Megjithëse në skuadër nuk kanë qenë të gjithë futbollistët, për arsye të impenjimit me Kombëtaren, puna te Tirana ka vazhduar me të njëjtin ritëm. E dimë shumë mirë që përballë nesh vihet një Lushnje shumë e motivuar, shumë e fortë dhe që synon që nga kjo ndeshje të dalë me pikë”. Bardheblutë tashmë janë 7-të pikë larg Elbasanit e do të kërkojnë që pas kësaj jave, diferenca e portokallinjve, minimalisht të mos ndryshojë. “Aktualisht jemi 7-të pikë përpara Elbasanit dhe do të përpiqemi që të ruajmë këtë diferencë. Unë vazhdoj të them se Kampionati është i hapur dhe për një fakt të tillë duhet të arrijmë të sigurojmë tri pikët kundër lagunarëve. Në fazën e dytë, ne kemi fituar me lehtësi, me rezultatin 3-0, me ekipin e drejtuar nga Demollari, megjithatë që nga ajo ndeshje shumë gjëra kanë ndryshuar. Jam i sigurtë se përballë gjejmë një kundërshtar shumë më të fortë dhe shumë më të motivuar. Kjo gjë nuk na tremb aspak e thashë edhe më lart, Lushnja ka respektin tonë maksimal, por ne në fushën e lojës, futemi me qëllimin e vetëm për të fituar”, përfundon tekniku Starova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›