E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Respekt për Kushtetutën e transparencë”



ADI SHKEMBI

Komisioni Evropian kritikon bojkotin e Parlamentit dhe shprehet se rruga drejt BE-së duhet të udhëhiqet nga dy parime, respektimi i Kushtetutës dhe transparenca. Deklaratën e bëri dje në Tiranë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fule. Zyrtari i lartë nga Brukseli mbërriti në Rinas rreth orës 15:00, ku përpara se të niste takimet me krerët e shtetit bëri një deklaratë ku theksoi se "Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike, në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe të perspektivës së integrimit evropian, liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë, në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Evropian".
Takimet
Fillimisht Komisioneri për Zgjerimin u prit nga Presidenti Bamir Topi, i cili vlerësoi pozitivisht rivendosjen e dialogut politik institucional mes maxhorancës dhe opozitës dhe "shprehu besimin se me vullnetin politik të palëve dhe angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarë." Nga ana e tij, Fule tha se në qoftë se ngërçi politik dhe situata aktuale vazhdojnë dhe mbetet e pazgjidhur, kjo do të ngadalësojë procesin e mëtejshëm të integrimit. Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian konfirmoi qëndrimin e shprehur në deklaratën për shtyp edhe gjatë takimit me Kryeministrin Berisha. Gjatë daljes së përbashkët para mediave, Fule nuk shtoi asnjë fjalë më shumë nga ajo çfarë kishte thënë përpara se të niste takimet në Tiranë. "Më lejoni të përdor këtë mundësi, gjithashtu edhe faktin që z. Kryeministër iu referua asaj deklarate, ta lexoj edhe njëherë: Një parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë".
Vizat e pyetësori
Për sa i përket heqjes së regjimit të vizave, komisioneri për Zgjerimin vlerësoi progresin e bërë teksa shtoi se muajin tjetër do të bëhet propozimi për Shqipërinë. "Dua të theksoj se për sa i përket veprave, liberalizimi ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur. Kohët e fundit, Shqipëria ka bërë shumë progres në implementimin e udhërrëfyesit. Kolegët e mi në Komision po punojnë për të prezantuar muajin tjetër një vlerësim, dhe bazuar në të, një propozim se si duhet të veprojë më tej, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian", tha Fule. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi se "procesi i liberalizimit të vizave dhe zbatimi i udhërrëfyesit ishte jashtëzakonisht i dobishëm për Shqipërinë. Kam bindjen më të madhe se ka ngritur në një nivel të ri, kontrollin e sigurisë së vendit, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit". Komisioneri për Zgjerimin vuri theksin edhe te përgatitja e pyetësorit nga ana e Shqipërisë. "E para do të ishte përgëzimi ndaj vendit tuaj për arritjet në përmbushjen e aspiratave evropiane. Fakti që jemi në procesin e përgatitjes së opinionit dhe se presim përgjigje për shumë prej pyetjeve që kemi dërguar, mendoj se është prova më e mirë për progresin tashmë të arritur nga vendi juaj në një detyrë jo dhe aq të lehtë", tha më tej zyrtari i lartë i KE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›