E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: S’jemi në borxh, nuk votojmë ultimatume



Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi replikoi dje me kundërshtarin e tij Gramoz Ruçi, pak para se kryetarja e Parlamentit të hidhte në votë ngritjen e komisionit hetimor. Sipas Patozit, maxhoranca nuk mund të detyrohet të votojë ultimatumet e opozitës. "Ky Kuvend mund dhe duhet të trajtojë çdo nismë ligjore të opozitës dhe ne kemi treguar të gjithë gatishmërinë e duhur për to, por asnjë deputet i maxhorancës nuk mund të detyrohet të marrë në konsideratë që të votojë ultimatume. është një keqkuptim i madh të pretendosh se me vendimin për të ndërprerë bojkotin ju keni shlyer detyrimin tuaj dhe na keni futur në borxh", tha Patozi. Sipas tij "në rastin më të keq e keni bërë me një qëllim të vogël pragmatist, për të shpëtuar mandatet tuaja personale. Mirë e keni bërë, por nuk mund t'i kërkoni maxhorancës dëmshpërblim për këtë. As kjo legjislaturë dhe aq më pak historia e Kuvendit, nuk nis me ditën që një deputet apo një grup deputetësh ka ardhur për të zënë karriget e veta këtu. Ndaj kthehuni me këmbë në tokë sepse nuk mund të kushtëzoni qëndrimin tuaj në Parlament me plotësimin e çdo teke apo çdo trilli të një individi, qoftë ky edhe kryetari juaj". Kreu i grupit të PD-së i bëri sërish thirrje opozitës të pranojë që ngritja e komisionit të bëhet duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. "Ne u ftojmë edhe njëherë seriozisht që të dilni nga kutia dhe t'i ndeshim në dritën e diellit të vërtetat, idetë dhe pikëpamjet tona, duke filluar në këtë projektligj, duke vijuar me ngritjen e komisionit hetimor që vetë e keni kërkuar me ngulm prej më se 6 muajsh dhe për të cilin ne jemi plotësisht dakord në një prej dy versioneve të vetme që kemi në dispozicion", tha Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›