E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Tani populli do ta gjejë vetë të drejtën e tij



Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci deklaroi në fund të seancës gjatë fjalës së tij se kriza mund të zgjidhet, pasi nuk pengohet juridikisht, ajo pengohet nga një njeri i vetëm, sipas tij. "Sot Shqipëria nuk është thjesht në një krizë juridike, kriza është politike, ka vetëm një mënyrë për ta zgjidhur: vullnet politik. Juridikisht nuk ka asnjë pengesë për të nisur hetimin e zgjedhjeve, e pengon vetëm regjimi i një njeriu, ai është Sali Berisha" u shpreh Ruçi. Kreu i grupit socialist bëri një sfidë të re për Kryeministrin Berisha. "Unë po të bëj sfidën e re sot. Unë e lë imunitetin tim për hetimin e kartave të identitetit. Ndërsa ti merr masat e tua. Eja dhe ti para drejtësisë bashkë me mua dhe zgjidhe vetë akuzën tënde, sepse unë e kam akuzën time, atë që më përcaktove ti. Ti zgjidhe vetë akuzën tënde, në do naftën e Milosheviçit, në do piramidat, në do masakrën elektorale të 96, grushtin e shtetit të 98, apo dhjetëra vrasje pa autorë në shumë vite deri tek i ndjeri, miku ynë i këtij Parlamenti, Fatmir Xhindi, në do vrasjet e pafajshme të Gërdecit, apo korrupsionin e rrugës, apo të energjisë dhe përmbytjet në Shkodër, se xhamat e blinduar të zyrës tënde nuk do të shpëtojnë nga dëshpërimi publik", u shpreh Ruçi. Kreu i grupit socialist tha dje se PS e bëri detyrën e saj për zgjidhjen e krizës, duke paraqitur nismat ligjore, ndërsa përgjegjësia do të bjerë mbi maxhorancën. "Ne bëmë detyrën tonë, ju shikojini gjërat me përgjegjësi, nëse ju i hidhni poshtë propozimet tona, populli të gjejë të drejtën e tij dhe ne do të jemi në krah të popullit", u shpreh Ruçi në mbyllje të fjalës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›