E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule me Edi Ramën: Të vazhdojë debati në Parlament



Gjatë takimit me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, kryetari i opozitës Edi Rama shprehu angazhimin e Partisë Socialiste për të çuar deri në fund kërkesën për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama theksoi se kërkesa e opozitës mbështetet jo vetëm në vlerat dhe parimet evropiane të transparencës, por edhe në të drejtën kushtetuese që i jep Kuvendit mundësinë e hetimit përmes komisioneve hetimore parlamentare. Kreu socialist i kërkoi zyrtarit të lartë të BE-së hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nga një "Komitet i së Vërtetës", me ekspertë të OSBE-së ose ODIHR-it që të garantohet paanshmëria e këtij hetimi. Sipas Ramës, viti 2005 është një provë që vërteton se kërkesa e Partisë Socialiste është e ligjshme dhe në përputhje të plotë të Kushtetutës, ndërsa nënvizoi se transparenca dhe hetimi parlamentar i kërkuar nga Partia Socialiste, nuk synon në asnjë moment ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë, por shërben vetëm për të garantuar standardet demokratike dhe për të shmangur korrupsionin e manipulimin elektoral gjatë proceseve të ardhshme zgjedhore. Gjatë takimit me dyer të mbyllura me komisionerin e BE-së, Rama shprehu falënderimin për angazhimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e regjimit të vizave me vendin tonë, duke inkurajuar përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi. Nga ana e tij, Komisioneri Fule theksoi se ngërçi politik që ka mbërthyer Shqipërinë duhet zgjidhur sa më shpejt, duke garantuar transparencë dhe respekt për Kushtetutën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›