Bullgaria dhe Mongolia mbështesin demokratizimin e Shqipërisë

Bullgaria dhe Mongolia mbështesin rrugën që po ndjek Shqipëria për demokratizim dhe zhvillim. Deklarata është bërë nga ish-presidentët përkatës në takimin me kryeministrin Berisha. Ish-presidenti i Republikës së Bullgarisë, Petar Stojanov dhe ish-presidenti i Mongolisë, gjatë takimit me Berishën përgëzuan kryeministrin për arritjet e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe politike të kurorëzuara dhe me anëtarësimin në NATO në pak ditë. Stojanov dhe Bagabandi theksuan se vendet që ata përfaqësojnë mbështesin rrugën që po ndjek Shqipëria për demokratizim dhe zhvillim, duke nënvizuar se arritjet e Shqipërisë këto tre vitet e fundit janë model për vendet në zhvillim. Kryeministri Berisha i garantoi dy ish-presidentët se sukseset e Shqipërisë do të jenë të vazhdueshme.Kryeministri diskutoi me dy-ish Presidentët mbi reformat e gjithanshme që do të thellohen edhe më tej në të ardhmen si dhe procesin e vizave me këto dy vende. Kryeministri Berisha i garantoi ata se qeveria shqiptare do të realizojë me sukses objektivin tjetër të afërt, realizimin e zgjedhjeve të lira, transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.