E Diel, 1 Nëntor 2026

Bullgaria hap dosjet, 107 zyrtarë të lartë dalin agjentë

Një kryeministër, 4 zëvendëskryeministra dhe 25 ministra bashkëpunëtorë të Sigurimit. Ish-agjentët e Sigurimit të Shtetit preferojnë Ministrinë e Jashtme
Komisioni për verifikimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në Bullgari publikoi në shkurt emrat e 107 anëtarëve të qeverive post-komuniste (1991-2008), që kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit. Bilanci është spektakolar: një kryeministër, katër zëvendëskryeministra dhe 25 ministra të kabinetit të zgjedhur në mënyrë demokratike kanë të kaluar me Sigurimin. Krahas presidentit Georgi Parvanov, që ka qenë aktiv për shërbimin e kundërzbulimit nën pseudonimin “Gotze”, në listë bën pjesë edhe paraardhësi i tij, kryetari i socialistëve, ish-kryeministri Jean Videnov. Veçanërisht të tërheq vëmendjen dyndja e ish-punonjësve të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme dhe në shërbimin diplomatik. Tre ish-ministra dhe 13 zëvendës të tyre, madje edhe ambasadori i sotëm i Bullgarisë në NATO, kanë qenë kuadro të shërbimit komunist të kundërzbulimit. Ligji i ri i hapjes së dosjeve mundësoi zbardhjen e këtyre dosjeve, pavarësisht nga rezistenca e ashpër nga ana e Partisë ish-Komuniste të Bullgarisë. Dimitri Ivanov, ish-shefi i famëkeqes Policia Politike pranë shërbimit të Sigurimit të Shtetit, sot një biznesmen me pasuri disa milionëshe, e shpreh përmbledhtas kritikën: "Në preambulën e Kushtetutës dhe në nenin 1 të saj thuhet se kemi një ligj për hapjen e dosjeve. Por cili është qëllimi? Kjo mbetet e hapur. Bëhet kjo për arsye të forta morale? Apo edhe për arsye politike dhe ekonomike? Është ky ligj një parakusht për zbardhje të mëtejshme, apo për reprezalje?"
Për ish-punonjësit e shërbimit sekret nuk janë parashikuar sanksione apo ndalim i ushtrimit të profesionit. Megjithatë, gazetari i njohur në Bullgari, për punën e tij hulumtuese, Hristo Hristov, konstaton: "Njerëz dhe struktura të caktuara kanë një farë interesi politik dhe ekonomik, që dosjet e ish-Sigurimit të mbeten të mbyllura. Kjo në mënyrë që të mos dalin në shesh dosjet e elitës politike dhe ekonomike". Thuajse në të gjithë Europën Qendrore dhe Lindore brezat më të rinj e konsiderojnë jo interesante dhe të parëndësishme temën e dosjeve të sigurimit. Për këtë ka shkaqe komplekse politiko-sociale. Paaftësia e historianëve për ta analizuar në mënyrë objektive kohën e komunizmit, niveli që lë për të dëshiruar i arsimimit, detyrimi i kushtëzuar prej sistemit për të bërë karrierë e për të fituar para. Por ka edhe shumë përfaqësues të brezit më të vjetër, që janë skeptikë ndaj kësaj çështjeje. Kjo është e kuptueshme. Sepse shoqëritë e ish-Bllokut Lindor bazoheshin te mënyra e veprimit që vala të merr me vete, pra janë të shumtë ata që kanë qenë në njëfarë mënyre të implikuar dhe madje besojnë që s´ka pasur gjë të keqe në bashkëpunimin me Sigurimin. Në fakt kjo ka qenë një gjë e keqe, sepse veprimtaria e shërbimeve sekrete në Bllokun Lindor ka qenë edhe një veprimtari kriminale. Jo vetëm nga këndvështrimi i sotëm në sfondin e shkeljes së të drejtave të njeriut, që asokohe ishin diçka e zakonshme. Por edhe nga këndvështrimi i legjislacionit të atëhershëm kjo veprimtari shpeshherë ka qenë antikushtetuese. Kjo për faktin se këto shërbime vepronin jashtë sistemit ligjor dhe drejtoheshin direkt prej Partisë Komuniste.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›