Kirurgu Mustafë Mustafa merr titullin “Qytetar nderi”
KUKËS - Këshilli bashkiak i qytetit të Kukësit ka miratuar dje në mesditë dhënien e titullit “Qytetar nderi" mjekut kirurg Mustafë Mustafa. “Kërkesa është paraqitur nga disa qytetarë, por dëshira ka qenë jo vetëm e të gjithë banorëve të qytetit e të fshatrave të rrethit të Kukësit, por edhe e rretheve të tjera të cilëve për më shumë se 30 vjet u ka shërbyer mjeku i njohur", - tha në fjalën e tij kryetari i bashkisë, Hasan Halilaj. Ai vuri në dukje se për rreth 40 vjet, mjeku Mustafa ka kryer mbi 3000 ndërhyrje të ndryshme kirurgjikale duke u shërbyer pacientëve të tij në çdo kohë, ditën e natën, jo vetëm në spitalin e qytetit, por edhe në Krumë e në zona të tjera të thella të këtij rrethi.
“Është kjo arsyeja që dr. Mustafa në zgjedhjet e vitit 1992 u zgjodh edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e PD-së nga banorët e qytetit e fshatrat përreth tij”, - theksoi Halilaj.
Këshilli i bashkisë miratoi unanimisht dhënien e titullit “Qytetar nderi” kirurgut të njohur, i cili ende vazhdon t’u shërbejë bashkëqytetarëve të tij. Bashkia e Kukësit ka në gjirin e saj 10 “Qytetarë nderi”, prej të cilëve tre janë shtetas të huaj, por që në periudha të ndryshme kanë dhënë kontribut të shquar duke punuar në këtë qytet.
12 Mars 2008