E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirizmi, filozofia dhe poezia atdhetare e Camajt

Behar GJOKA
Një ndjesi e përveçme atdhetare, nga më të fuqishmet e shkruar ndonjëherë për atdheun dhe krejt e hollë në ligjëratën poetike, përshkon vargjet e poezisë “Vendit tem”, të cilën vetë poeti e ka quajtur atipike, pra jo të natyrës së tij shkrimore, në kuptimin e formës dhe idealitetit shprehës të poezisë së autorit. Këtu nëpërmjet strofës treshe, pra një tercinë e shpallur, zbulohet i plotë malli i mërgimtarit dhe dashuria pa kufi për atdheun, malli që ia ka prushitur mendjen dhe shpirtin, malli i djegagurit, i cili e mban të lidhur me trojet dhe gjininë e vet. Është kjo distancë, mbase edhe pamundësia e kthimit që kuptimëson idenë e përgjëratës, të përmallimit kozmik, çka e shpërndërron heroin lirik në një send të natyrës me disa forma. Duke prekur realitetin e tekstit ka gjasa të mjafta për këtë, do të krijojmë një përshtypje më reale për atë se çfarë përcjell vjersha. Kështu në strofën fillimtare të poezisë
“Kur të vdes le të bahem bar/ në malet e mia në pranverë/ në vjeshtë do të bahem farë”, krijohet një gjendje e habitshme letrare, një situatë magjike e papritur, mbase një rast fatlum në letrat shqipe se si edhe në poezitë atdhetare, aq të pranishme dhe bubullitëse, ka shanse që të ndërtohet një realitet i fuqishëm letrar. Në këto vargje spontane, të lidhjes me dheun dhe trojet, prekim ndjesinë e hollë të metamorfozës që e pëson heroi lirik, i cili është i gatshëm, natyrisht për hir të atdheut, të jetë bar, që simbolizon ardhjen e pranverës, të ditëve më të mira, por fare pranë saj ai ndihet mirë edhe si farë, e cila garanton përtëritjen e barit, pra të pranverës dhe nëpërmjet saj të vetë jetës, natyrore dhe njerëzore. Prania e dy elementëve të natyrës, që në fakt sigurojnë dhe dëshmojnë përtëritjen, rilindjen e përhershme, është shenjë e qëmtimit poetik, për ta kërkuar dhe shenjëzuar magjikën atdhetare në formësime interesante, që të ngacmojnë në thellësi të shpirtit dhe mendjes. Bari dhe fara, posaçërisht në këtë strofë hyjnë edhe në pikëpërputhje rime, të një rimimi të kryqëzuar, i cili e shpërfaq të plotësuar ndjesinë e poetit, mbi atë proces të dobishëm dhe të patjetërsueshëm të lidhjes me vendlindjen dhe me atdheun përgjithësisht. Janë këto dy elementë që zbulojnë edhe krenarinë e poetit për origjinën e tij, të lidhur ngushtë me rrethanat baritore, gjë që i jep poezisë dhe këtyre vargjeve një ton të pastër bukolik. Po ashtu edhe në strofën e dytë: “Kur të vdes le të bahem ujë/ e fryma eme avull/ në fusha do të bie si shi”, të cilat rimarrin situatën e mëparshme, tashmë në një gjendje tjetër, por duke e tonifikuar me një ritmikë tjetërsoi. Në këtë strofë ndiejmë se heroi lirik transformohet në dy gjendje të tjera. Së pari: bahet ujë, sepse uji është jeta, është gëzim, është vetë vazhdimësia, si burime të vetmet dhe të patjetërsueshme. Së dyti: poeti pranon të jetë shi, si shans dhe mundësi për të mos u ndërprerë rrjedha e ujit, rrjedha e ujit si prani, si frymë dhe pa dyshim si forcë e pamposhtur e qenies. Në këtë strofë vihet re nëse kundrohet vëmendshëm se ka humbur rima formale, por është ruajtur dhe shprehur lidhja logjike e mbi të gjitha është thelluar përmasa e heroit lirik, tashmë si ujë dhe shi, pra një dyfishim lëvizjeje dhe dinamike, duke e rritur gradacionin shprehës në caqe letrare të magjisë së papranishme në letrat shqipe. Kjo ndjesi e thelluar të krijohet edhe kur ndesh në vargjet e strofës së tretë: “Kur të vdes le të bahem gur/ në skajin e vendit tem/ të qindroj kufi”.{2000 : 181}. Në këtë strofë kemi një përmbysje të plotë semantike, mbase një gjendje të re, që tenton dhe rrok gatishmërinë e heroit lirik, pra të vetë autorit, që për hir të atdheut është gati të kryejë sakrificën më sublime. Me pranimin e heroit lirik që të bëhet gur, pra një element që simbolizon dhe përfaqëson forcën, apo me simbolikën e cakut të ndarjes midis shteteve, duket sikur nuk mjaftojnë shpërndërrimet e mëparshme, pra në bar dhe farë, në ujë dhe shi, por për atdheun do të duhet edhe një ndryshim më i madh, gatishmëria sublime, të cilën poeti është i gatshëm të realizojë, madje e paraqet me krenari në mendimin përmbyllës të poezisë. Në këtë rast, kemi një rimë të gjysmuar, sepse në fjalët gur dhe kufi është i përbashkët tingulli u, por është plotësuar edhe prej semantikës që i ndërlidh këto dy fjalë, të cilat shprehin një gjendje të pikës që ndan dhe bashkon popujt dhe kombet në këtë jetë. Pranëvënia e mallit të mërgimtarit, që e ka shoqëruar përgjithësisht poezinë shqipe gjithkohore, me dashurinë për atdhe, veçse me nota të një lirizmi të brendshëm e paraqet heroin lirik të mbytur në shkretimin e pritjes së gjatë. Pritjes me shpresën se një ditë do të kthehet në dheun amë, mbase e pritjes se një ditë do të ndryshojnë rrethanat që e pengonin poetin të shkelte në vendin e vet. Krijimi i një tabloje tërësore vetëm në tri strofa dhe nëntë vargje, duke i dhënë një ngjyrim të pastër filozofik, sidomos nëpëmjet elementëve të natyrës, madje të njohura dhe të prekshme për çdo lexues, duke zënë fill me barin dhe farën, si shenja baritore, e duke vijuar më tej me ujin dhe shiun, pa të cilat është gati e pamundshme vetë jeta, për të ardhur mandej te guri dhe kufini, si marrëdhënie logjike, është tregues i vlerave letrare që ka endur dhe realizuar poeti me bindjen se atdheu është një gjurmë që nuk mund të shqitet. Janë këto ndjesi, krejt të brishta dhe tronditëse, të marrëdhënies së çuditshme me atdheun e ndaluar, që e bëjnë poezinë të tillë, shenjë të brengës dhe përmallimit autorial. Madje, nëpërmjet kundërvënies logjike të dy elementëve poetikë, e shtirë si situim poetik në të gjithë vjershën, autori përvijon njëkohësisht dëshpërimin prejse është larg dhe adhurimin për atdhe. Kështu në strofën e parë fjalës “bar” i kundërqëndron fjala “farë”, që evidenton edhe tharmin filozofik të vijimësisë së jetës përmes një transformimi të pandërprerë. Në strofën e dytë stilistikisht kundërvihen dhe kontrastojnë përballë fjalët “ujë” dhe “shi”, të cilat kuptimisht nuk e përmbysin njëra-tjetrën, përkundrazi ato janë në marrëdhënie të prejardhura. Kurse strofa e tretë shenjohet si kundërvënie në mes fjalës “gur” e “kufi”, si dhe përmbysjes kuptimore në mes fjalëve “bahem” dhe “qindroj” duke zgjeruar ndjeshëm semantikën dhe shprehësinë e poezisë. Leximi dhe rileximi i kësaj poezie, në dimensionin e përmallimit, shtresëzimin e shumësisë kuptimore, vibrimet figurative, krijon shansin për një pafundësi interpretimi dhe përjetimesh emocionale. Kjo ngjet, siç nënvizon vetë autori në vitin 1989, me një poezi atipike, pra një poezi jashtë natyrës së Camajt, megjithatë një poezi që spërkatet me shenjat e kreativitetit letrar.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›