E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, sërish në radhë në pjesën greke të Doganës së Kakavijës

Kakavijë – Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi janë përballur përsëri me radhën e gjatë të pritjes në pjeësën greke të Doganës së Kakavijës. Radha e krijuar ka qenë afërsisht 2 km dhe shkak është bërë ndërprerja e energjisë nga pala greke, gjatë blackout-it në Greqi, por edhe ndërrimi i turneve të personelit në palën greke. Emigrantëve shqiptarë që kanë dashur të rikthehen në vendet e tyre të punës në Greqi u është dashur të presin më shumë se 2 orë në sportelet e palës greke në pikën kufitare të Kakavijës. Shumica e emigrantëve shqiptarë ishin kthyer për të festuar karnavalet në Gjirokastër dhe kanë kërkuar të ktheheshin me rastin e festimit të Pashkëve në Greqi. Në doganën greke numëroheshin vetëm dy sportele gjatë kohës së fluksit, ndërsa nga pala shqiptare qëndronin të hapur tre sportele në shërbim të qytetarëve. Pas zhbllokimit kanë mundur të kalojnë fillimisht 550 automjete dhe rreth 2700 persona, ndërsa në orët e mesditës situata është normalizuar krejtësisht.

Trafiku i makinave, ndalohen tre persona

Durrës – Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit të Durrësit, ka mundësuar dje nëpërmjet një operacioni të koduar “Pranvera 2008” goditjen e një rrjeti të mirorganizuar që trafikonte prej kohësh makina të vjedhura. Në pranga kanë rënë shtetasit Sokol Xhakja, 28 vjeç, nënkryetar komune i Katundit të Ri, Durrës, si dhe shtetasit Mehmet Shuaipi dhe Myslym Dosti. Falë operacionit “Pranvera 2008” u sekuestruan automjetet e vjedhura: një Audi A3, me targa BY234BN që përdorej nga Xhakja, një Benz AGMB 200 e Shuaipit dhe një Fiat me targa BR 770 YJ i Dostit. Burime nga policia bënë të ditur se automjetet ishin të vjedhura në Itali dhe se personat e arrestuar do t’i shisnin në vend për përfitim. Policia bën të ditur se do të vazhdojë hetimet pasi dyshohet se persona të tjerë janë të implikuar në këtë trafik të paligjshëm të automjeteve.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›