Bullgaria pro pranimit të Shqipërisë në NATO
• Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është i rëndësishëm për paqen në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.Ky mësohet se është qëndrimi i Bullgarisë i bërë publik nga ambasadori i këtij shteti gjatë takimit që pati me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Zyra e shtypit pranë Kuvendit bëri të ditur se, ambasadori bullgar Theodor Roussinov, në emër të kryetarit të Parlamentit bullgar, Pirinski, shprehu mirënjohjen për mikpritjen gjatë kësaj vizite dhe dëshirën që bashkëpunimi dhe dialogu të nxiten edhe më tej me shkëmbime të delegacioneve nga komisionet parlamentare reciproke. “Bullgaria është ndër ato grup vendesh, që beson se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do t’i shërbejë paqes në rajon e më gjerë”, tha ambasadori Roussinov. Lidhur me çështjen e Kosovës, ambasadori i Bullgarisë u shpreh se, Bullgaria ashtu si Shqipëria, e vlerëson Paketën Ahtisari si zgjidhje të vetme për paqe e stabilitet. Ai konfirmoi se Bullgaria në çdo takim të strukturave të Bashkimit Evropian thekson faktin se çështja e statusit të Kosovës është një çështje evropiane dhe BE-ja duhet të flasë me një zë për këtë. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, falënderoi Roussinov për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria, si një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, i jep Shqipërisë për anëtarësim në strukturat euroatlantike.