“Vota jonë për Topin i hapi rrugë paktit Rama-Berisha”
• Deputeti socialist Bukurosh Stafa, shprehet se ai dhe deputetët e tjerë që votuan pro Bamir Topit qëndrojnë në profilin opozitar.Aristir LumeziAta përshëndesin frymën e Detantës aktuale mes PS-PD për reformën në drejtësi, por kujton se bazat e saj u hodhën në 20 korrik me zgjedhjen e presidentit. Edhe pse ende ata nuk kanë vendosur për t’iu bashkuar një grupi parlamentar, Stafa shprehet se shumë shpejt, opsioneve për një qëndrim opozitar ndryshe, do t’i bashkëngjiten edhe personazhe të tjerë të opozitës.Zoti Stafa, pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ku vota juaj dhe e kolegëve tuaj socialistë ishte përcaktuese, keni pasur një vëmendje më të madhe publike dhe mediatike, e cila këto ditë është ridimensionuar përsëri, pasi flitet për oferta të ndryshme politike parlamentare. Sa qëndrojnë këto? Eshtë e vërtetë që ne jemi bërë më interesantë për median që pas korrikut të vitit 2007, pasi sjellja politike në atë moment ishte disi ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar të ndeshemi rëndom. Unë dhe kolegë të mi deputetë gjykuam se Detanta politike e cila aq shumë përflitej mediatikisht, kërkonte veprime konkrete dhe nisur nga kjo, jashtë çdo interesi personal, vendosëm të kryenim një akt civil dhe të përgjegjshëm politik, siç ishte zgjedhja e Presidentit të Republikës. Këtë e bëmë hapur, jashtë çdo kulise dhe oferte politike, që në atë periudhë nuk mungonin dhe morali i tyre vërtet ishte shumë i diskutuar. Nuk dua t’i rikthehem atij akti me hollësi, por sot e gjithë ditën mbetem i bindur se veprimi ynë, pavarësisht se u konsiderua si shkelje e vendimit politik të grupit parlamentar të PS-së (i cili në fakt nuk ekzistonte) ishte në dobi të zhvillimit të proceseve demokratike dhe stabilitetit politik dhe social të Shqipërisë. Pavarësisht prejardhjes politike të zotit Topi, ai ishte i vetmi kandidat në garë legal dhe jashtë skemave që lidheshin me interesa të vogla të njërit apo tjetrit lider apo personazh politik, interesa që pavarësisht se si i shiteshin publikut, nuk kishin asnjë lidhje me të. Pra, ju vazhdoni të mendoni se nuk keni gabuar në raport me subjektin tuaj politik dhe interesat e elektoratit? Sigurisht që vazhdoj të mendoj jo për kokëfortësi politike, por duke i vështruar edhe nga larg tani ngjarjet. Ne, pa qenë nevoja që unë të sjell në vëmendje identitetin tim të përcaktuar politik dhe kontributin në PS, i cili është në një dimension më të gjerë se nga akuzatorët e mi të sotëm, mund të shprehem se ndërgjegjja ime politike u drejtua realisht nga stabiliteti i vendit. Alibitë që u sollën më pas se ne u bëmë shkaktarë të zgjatjes së mandatit të Berishës në pushtet janë sa të pabesueshme, aq edhe të paargumentuara. Opozita e shpërdoroi keq rastin e zgjedhjes së Presidentit, dhe nuk arriti ta menaxhonte atë, ndërsa synimi për zgjedhje të parakohshme për mua mbetet shumë fiktiv. Ne ishim totalisht të papërgatitur për të hyrë në zgjedhje të parakohshme dhe e kishim të garantuar humbjen, por ishte veprimi ynë që e shmangu atë. Por u duhej alibia dhe po e përdorin mbase me sukses për momentin, por me kosto të lartë nesër, pasi ka shkaktuar një mungesë kohezioni brenda dhe jashtë strukturave... Opozita ishte e papërgatitur dhe me probleme për të zgjedhur një president edhe nga radhët e saj dhe sjelljet brenda saj favorizuan maxhorancën dhe kandidatin e saj të ulej në kolltukun presidencial. Atë e përcaktuan votat tuaja dhe jo sjellja e opozitës? Votat sigurisht që e përcaktuan, por megjithëse jemi larguar pak në kohë, ju sjell në vëmendje se opozita nuk shprehu asnjëherë dhe në asnjë rast një qëndrim të njehsuar për kandidaturën dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit për arsye që publiku tashmë i njeh. Vota jonë ishte dhe mbetet përgjegjësi dhe e theksoj se ne nuk votuam kabinetin qeveritar, por presidentin e vendit kur kishte tre alternativa: Ose një njeri që kandidonte në mënyrë legale dhe kishte një profil të përcaktuar, ose një njeri që do e prodhonin tavolinat e pista, ose zgjedhje të parakohshme. Në këto tre alternativa ne zgjodhëm të parën, e cila në momentin e caktuar ishte më e mira. Dy të tjerat, dhe sidomos kjo e fundit do krijonin një destabilitet të përgjithshëm dhe ju garantoj që edhe sot mund të ishim në ciklin e vështirë e me faturë shumë të rëndë të kostos që prodhojnë zgjedhjet. Ne përshëndesim frymën aktuale të Detantës dhe konsensusit politik, por askush nuk duhet të harrojë se kjo filloi në korrik të 2007. Kujtoj se BE dhe SHBA e përshëndetën zgjedhjen e presidentit duke e konsideruar si një zgjidhje konsensuale të klasës politike shqiptare. Me zgjedhjet e parakohshme, Shqipëria as që do guxonte të ëndërronte të merrte ftesë për në NATO, të ratifikoheshin marrëveshjet e Stabilizim- Asociimit nga vende të ndryshme me BE-në dhe të tjerë. Ajo votë që u guxua të quhej atëherë “tradhtare” i ka hapur rrugë vendimeve jetike për Shqipërinë. Megjithatë ju jeni sot jashtë grupit parlamentar të PS-së dhe nën “gjuetinë” e grupeve të ndryshme për t’iu bashkëngjitur? Politika e emocioneve mendoj se duhet t’i lërë vendin politikës së arsyes. Në grupin parlamentar të PS-së ka mjaft elementë të arsyeshëm që gjithnjë e më shumë po kuptojnë se reagimi ynë ishte i drejtë, ashtu siç është i paarsyeshëm përjashtimi që na u bë dhe që me kokëfortësi vazhdon të mbetet në fuqi. Ne e ndjejmë këtë mungesë dhe do e dëshironim një mirëkuptim më të gjerë me grupin e PS-së, ashtu siç e kemi me elektoratin dhe ata që na kanë votuar dhe që janë bindur për sjelljen tonë politike. Për fat të keq kjo nuk po ndodh, por po ndodh ajo që ju thoni “gjuetia” parlamentare. Ne kemi një profil opozitar në këtë katërvjeçar dhe këtë do të ruajmë deri në fund. Rruga që do ndjekim po shikohet me kujdes dhe binjakëzimet politike nuk janë e vetmja rrugë për ne. E rëndësishme për ne është që të artikulojmë më shumë qëndrimin tonë ndaj qeverisë dhe të ballafaqohemi më dendur me problemet që ka vendi. Arsyeja e vetme që neve kërkojmë që të kemi një formacion parlamentar mbetet afishimi i qëndrimit konstant politik të profilit që ne përfaqësojmë dhe realizimi i detyrimit për të cilin jemi votuar. Por meqenëse ju jeni jashtë grupit si do e zgjidhni mbijetesën tuaj parlamentare? Ne vlerësojmë të gjithë ata kolegë deputetë e në mënyrë të veçantë kryetarë partie të qendrës së spektrit politik shqiptar të cilët na kanë sugjeruar të shohim dhe mundësinë e bashkimit me grupet e tyre parlamentare. Për hir të së vërtetës me duhet të them që kemi pasur sugjerime deri në vlerësimin e mundësive tona për të aderuar në ndonjë parti tjetër. Ne i kemi diskutuar mundësi të tilla, por konstatojmë se ende nuk jemi të përgatitur se mund të pranojmë sugjerime të tilla dashamirëse.Pra, problemi ynë qëndron në faktin se nuk kemi mundësi të artikulojmë atë që mendojmë se si duhet bërë, se si duhet reaguar, se në çfarë rruge duhet të kalojë opozita për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Ju jeni kundër bashkimit me grupe parlamentare të qendrës?Ne nuk është se jemi kundër njërit apo tjetrit, por kemi edhe opsione të tjera, që në ndonjë rast mund të jenë ndryshe nga ato që ofrohen sot nga lidershipi aktual i opozitës, ashtu siç jemi me qëndrime të tjera lidhur me një varg problemesh të mprehta sociale që kalon vendi. Ne kemi shqetësim për t’i ngritur institucionalisht këto probleme, për t’i thënë në emër të një formacioni të gjerë dhe kjo na ka munduar në aspektin politik. Nuk bëhet fjalë që unë, apo edhe miqtë e mi si Durimi apo Hamiti, të flasim me gjuhën e pushtetit dhe të jemi mburoja e tij. Aq më keq të përdoremi prej tyre. Kjo s’ka ndodhur dhe nuk mendoj se mund të ngjasë. Një gjë jam i bindur, që shumë shpejt opsioneve tona për një qëndrim opozitar ndryshe, do t’i bashkëngjiten edhe personazhe të tjerë të opozitës. Ne gjykojmë se dëshira për t’u kthyer në pushtet me rrugën që po ndiqet nuk konvergojnë, dhe këtu jemi fokusuar, tek gjetja e këtij konvergimi i cili do t’i shpejtojë maxhorancës aktuale daljen nga skena e pushtetit. Detanta“Ne përshëndesim frymën aktuale të Detantës dhe konsensusit politik, por askush nuk duhet të harrojë se kjo filloi në korrik të 2007. Nëse nuk do kishte ndodhur kjo, vendi do të ishte ende në zgjedhje. Kujtoj se BE dhe SHBA e përshëndetën zgjedhjen e presidentit duke e konsideruar si një zgjidhje konsensuale të klasës politike shqiptare”.Grupi“Arsyeja e vetme që neve kërkojmë që të kemi një formacion parlamentar mbetet afishimi i qëndrimit konstant politik të profilit që ne përfaqësojmë dhe realizimi i detyrimit për të cilin jemi votuar. Jam i bindur, që shumë shpejt, opsioneve tona për një qëndrim opozitar ndryshe, do t’i bashkëngjiten edhe personazhe të tjerë të opozitës”.