E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, një i vdekur dhe dy të plagosur nga aksidentet

• SHKODER - Dy aksidente me një të vdekur e dy të plagosur kanë ndodhur brenda katër orësh në rrethin e Shkodrës.Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, në lagjen Rus, Gjokë Vuktilaj 55-vjeç teksa po udhëtonte me një biçikletë në afërsi të shkollës "Skenderbeg" ka gjetur vdekjen i përplasur nga një kamion. Mjeti i tonazhit të rëndë vinte nga Mali i Zi e drejtohej nga një shtetas turk, Mustafa Mutllu, 40 vjeç. Pas këtij aksidenti, forcat e policisë kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, pasi ndodheshin fare pranë vendit të aksidentit, por dërgimi për në spital i viktimës ka rezultuar i kotë. Përplasja e 55-vjeçarit ka qenë e fuqishme, ç'ka i ka shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Menjëherë është shoqëruar për në komisariat drejtuesi turk, deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit. Vetëm katër orë pas këtij aksidenti, në vendin e quajtur "Ura e Shtojit" dy persona mbetën të plagosur pas përplasjes nga një makinë. Të lënduarit janë babë e bijë, Flutura dhe Ramazan Aliaj, 50 dhe 12 vjeç, të cilët udhëtonin në një biçikletë, kur janë përplasur nga një fuoristradë. Ata u dërguan me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, ku ndodhen jashtë rreziku për jetën, ndërsa u shoqërua drejtuesi i mjetit, E.Markola, një 20-vjeçar nga fshati Grizhë e Shkodrës. Ky i fundit mësohet se ka ndaluar mjetin në vendin ku ndodhi aksidenti, duke pritur forcat e policisë për të kryer ekspertizën e aksidentit, që për fat nuk shënoi të vdekur. Për të dy rastet kanë nisur hetimet, duke u marrë në pyetje drejtuesit dhe vetë dëshmitarët e këtyre ngjarjeve, të regjistruara brenda 4 orësh në qytetin e Shkodrës.               r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›