Përgjimet, thirren në raport Nishani dhe Shaqiri
• Opozita konteston dhënien e së drejtës së Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për të realizuar përgjimet e ndryshme.BLEDAR HOTIKomisioni parlamentar i Sigurisë debatoi dje ashpër për ndryshimet në ligjin “Për përgjimet e telekomunikacioneve”. Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura për mediat është shoqëruar me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, duke u ndarë tek e drejta e policisë për të realizuar përgjimet e ndryshme, nëpërmjet organeve të specializuara, siç është edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Në mbledhje ka qenë prezent ministri i Transportit, Sokol Olldashi, i cili ka dhënë shpjegime në lidhje me arsyet se ndërhyrjes në ligj, të cilat janë argumentuar me faktin si një kërkesë e përafrimit të legjislacionit me vendet e BE-së. Deputetët e opozitës, socialistë dhe të partive të tjera kanë mbetur të pakënaqur nga raportimi i ministrit të Transportit. Deputetët e opozitës kanë rënë dakord për t’i dhënë të drejtën Prokurorisë së Përgjithshme që të marrë në administrim aparaturat dhe përgjimet, që deri më tani gjenden në SHISH. Deputetët e opozitës kërkuan më tepër kohë në sqarimin e kësaj çështjeje, duke kërkuar edhe paraqitjen e ministrit të Brendshëm dhe të kreut të SHISH-it. Pas kësaj kërkesë të paraqitur nga ana e deputetëve të PS-së, por edhe të PDK-së, u ra dakord që në mbledhjet e ardhshme të thirren ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri. Pas mbledhjes, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Petro Koçi, u shpreh se ne e kontestojmë propozimin që policia të ketë të drejtën e përgjimeve. “Lidhur me ligjin e përgjimeve, opozita vlerëson kërkesën e Prokurorisë që bërthama përgjuese të transferohet pranë ambienteve të këtij institucioni të pavarur. PS-ja mbetet në opozitë të fortë ndaj faktit që projektligji kërkon që në ekzekutimin e përgjimeve të përfshihet drejtpërdrejt Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë dhe vetë Policia, të cilat janë institucione që kanë varësi nga një person politik, siç është ministri i Brendshëm”, deklaroi Koçi.