Ndoka: Debatet vetëm konstruktive në PDK
• Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, tha dje se nuk ka asnjë përplasje brenda forumeve të kësaj partie. Duke folur në një prononcim për mediat, kreu i PDK-së u shpreh se, “brenda PDK-së nuk ka asnjë përplasje reale. Nuk ka asnjë lloj problemi në PDK, as me grupin parlamentar dhe as me kryesinë e kësaj partie”. Por pas kreut të demokristianëve, njëherësh edhe ministër i Shëndetësisë në kabinetin qeveritar, vizioni i ri politik i kësaj force ka bërë që në PDK të shtohet çdo ditë numri i anëtarëve. Ndoka thotë se ndaj kësaj force politike ka një besim në rritje. “Eshtë e qartë se zhvillime të tilla brenda spektrit politik dhe ndonjëherë edhe brenda kësaj partie nuk mund të kalojnë pa debate konstruktive, por ky është një proces i natyrshëm në një parti të hapur e demokratike dhe nuk përbën asnjë shqetësim për identitetin dhe integritetin tonë. Ne jemi të sigurt në rrugën që kemi zgjedhur, siç jemi të sigurt, se reformimi i politikës dhe evropianizimi i saj është një proces i vazhdueshëm që nuk mund të realizohet brenda një dite dhe as mund të përcaktohet nga vullneti i një individi të caktuar”, theksoi Ndoka. Sipas kreut të demokristianëve, PDK-ja do të jetë një forcë politike në rritje dhe këtë e ka treguar edhe rezultati i mirë që ajo mori në zgjedhjet e shkurtit 2007. “Votat që elektorati na dha në zgjedhjet e vitit 2007, ishin vota të mbështetjes për qëndrimet, vizionin dhe parimet që ne mbrojmë, dhe si të tilla, janë një sinjal i qartë për këdo që ka sy për të parë, se PDK përfaqëson një nga partitë kryesore politike në koalicionin qeverisës dhe një faktor me peshë në vendimmarrjen politike të vendit. Ne i njohim përgjegjësitë tona dhe jemi të angazhuar totalisht në mirëqeverisjen e vendit dhe në kryerjen e reformave, duke kontribuar me të gjitha potencialet e saj që Shqipëria të përshpejtojë ecjen në rrugën e saj evropiane”, theksoi më tej Ndoka.