Bullgaria, rol drejtues në ndihmën e BE-së për Ballkanin
Bullgaria pritet të marrë rolin drejtues në shpërndarjen dhe planifikimin e ndihmës së BE-së për Ballkanit. Vendi i rajonit tonë, që është pjesë e 27-sesh europiane, është vënë në rolin e drejtuesit, bën të ditur gazeta bullgare online në gjuhën angleze, “The Sofia Echo”. Në takime të ndara me liderët e Bashkimit Europian, ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Mladenov, dhe Presidenti Georgi Purvanov, kanë propozuar inkuadrimin e Bullgarisë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë mbledhjes së drejtuar nga shefja e Politikës së Jashtme, Catherine Ashton Mladenov, u theksua se Brukseli mund të llogarisë ekspertizën bullgare në politikën e tij në rajon. Ministria e Jashtme e Sofjes bën të ditur se kjo ide është mirëpritur. Në takimin Ashton–Mladenov, çështjet e diskutuara përfshinë edhe Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë. Presidenti bullgar, Purvanov, i cili takoi presidentin e Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy, si pjesë e një serie takimesh me zyrtarë të lartë, shtroi propozimin që Bullgaria të marrë koordinimin e funksionimit dhe zbatimit të strategjisë ekonomike të BE-së në Ballkan. Kjo është pjesë e strategjisë ekonomike të BE-së për periudhën pas vitit 2020. Purvanov ofroi të shkruajë personalisht propozimet për ta vënë Bullgarinë në rolin e koordinatorit. Siç bën të ditur zyra e Presidentit bullgar, ky propozim do të diskutohet në të gjitha institucionet e Bullgarisë.
#