Tetë muaj pa rroga, punëtorët bllokojnë rrugën
Braktisja e punimeve në autostradën Levan-Vlorë dy javë më parë nga ana e punëtorëve të firmës “Palmir” nuk ka vënë në lëvizje asnjë institucion shtetëror. Në këto kushte, punonjësit e firmës kanë protestuar përsëri paraditen e djeshme, duke bllokuar për më shumë se një orë rrugën që lidh pesë fshatra të zonës së bregdetit me Komunën Levan. Shkak i ndërprerjes së punimeve dhe i bllokimit të rrugës është bërë mospagesa e këtyre punëtorëve prej tetë muajsh. Sipas punonjësve, ky është vetëm fillimi i protestës, pasi ata do të bllokojnë në ditët e ardhshme aksin kombëtar Fier-Vlorë dhe nuk përjashtojnë futjen në grevë urie në rast se nuk paguhen. Administratori i firmës “Palmir”, Përparim Gropa, e njeh borxhin ndaj punëtorëve, por thotë se gjithçka ka ardhur pasi firma “Alban Tirana” nuk ka shlyer detyrimet e saj sipas kontratës me firmën e tij.
#