E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat e partive, dështon auditi i KQZ-së

Përballë shpenzimeve marramendëse, vetëm gjoba qesharake për parti të vogla

Auditimi i subjekteve zgjedhore, një ndër çështjet më të debatuara në çdo proces elektoral, vijon të mbetet ende i pazgjidhur. Pavarësisht sanksionimit të disa neneve në Kodin Zgjedhor, të cilat qartësojnë hapat që duhet të ndjekë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të hetuar çdo veprim financiar të partive para dhe gjatë fushatës elektorale, në këtë rast është vetë KQZ e cila ka “vulosur” dështimin e këtij procesi, pasi bazuar edhe në raportin vjetor, kjo është një ndër çështjet që preket shumë pak. I gjithë procesi zgjedhor dhe shpenzimet marramendëse kanë kaluar vetëm me disa gjoba qesharake që u janë vënë partive të vogla.

Dështimi

Në raport nuk përmendet nëse KQZ ka bërë ndonjë verifikim të të dhënave që kanë paraqitur ekspertët. Neni 91, pika 3 e Kodit Zgjedhor, parashikon se KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përfshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. Ndërsa në raportin vjetor të KQZ-së, në pjesën ku flitet për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore gjatë fushatës zgjedhore, thuhet se KQZ përzgjodhi me short 27 ekspertë të pavarur për 34 subjekte zgjedhore, që morën pjesë në zgjedhjet për Kuvendin 2009. Në përfundim të procesit të auditimit, u evidentuan shkelje të dispozitave për financimin e fushatës nga 24 subjekte zgjedhore, për të cilat u propozuan sanksione administrative, gjobë 50000 lekë dhe 60000 lekë, në varësi të shkeljeve të konstatuara nga ekspertët. “Përpara marrjes së vendimit, KQZ u ka kërkuar zyrtarisht ekspertëve të japin hollësi në lidhje me shkeljet e konstatuara nga ana e tyre”, vijon raporti. Në këtë mënyrë duket se institucioni në fjalë është i kënaqur me atë çfarë kanë raportuar apo konstatuar ekspertët, pa u shkuar më tej verifikimeve. Nëse me kodin e vjetër elektoral partitë dërgonin të dhënat sipas vullnetit në KQZ, tanimë ekspertët shkojnë dhe i marrin te selitë e partive. Ky mund të cilësohet i vetmi ndryshim që ka funksionuar nga Kodi i ri zgjedhor. Askush nuk ka kryer hulumtimin e atyre çka tregojnë partitë politike në deklarimet e shpenzimeve.

Ligji

Kodi Zgjedhor parashikon se jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor, KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 92 të këtij kodi, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Raporti nuk mund të përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në pikën 1 të nenit 90 të këtij kodi.

Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore, sipas këtij kodi. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit, ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›