E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi voton në datën 18 mars ligjin për SHISH-in

Axhenda Në kalendarin e Kuvendit përfshihet edhe ligji për Gjykatën Administrative më 4 mars

Parlamenti i Shqipërisë do të kalojë për votim projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8391, datë 26.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, të ndryshuar. Kuvendi miratoi dje kalendarin e punimeve nga data 1 deri në 18 mars. Në përmbajtje të tij sqarohet se kjo nismë ligjore shumë e kontestuar do të votohet në seancën e 18 marsit. Së bashku me të do të kalojnë edhe një sërë nismash të tjera ligjore, mes të cilave bie në sy ligji për Gjykatën Administrative.

Debati

Projektligji i hartuar nga qeveria ka hasur në kundërshtimin e faktorit ndërkombëtar, i cili ishte i pari që ngriti zërin, duke kërkuar rishikimin e tij. Kështu, në ligjin e përgatitur nga qeveria, dhe që aktualisht ndodhet në zyrat e Kryesisë së Kuvendit, thuhet ndër të tjera se drejtori që udhëheq punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, përveç raportit të zakonshëm vjetor, duhet që të raportojë përpara Kryeministrit në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e këtij institucioni. Ndërsa në ligjin e vjetër, kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror raportonte në Këshillin e Ministrave, si dhe te Presidenti i Republikës për problemet që lidheshin me sigurinë kombëtare. “Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij”, thuhet në nenin 5 të ligjit të ndryshuar. Kompetencat e kreut të qeverisë mbi këtë institucion shkojnë edhe më tej, kur shërbimi shqiptar mund të kërkojë të hetojë mbi shërbimet e huaja. Shërbimit Informativ Shtetëror nuk i lejohet të mbledhë informacion mbi shërbimet e inteligjencës së vendeve të tjera, pa marrë më parë miratimin e Kryeministrit. Gjithashtu, po në ndryshimet e kryera në këtë ligj, Kryeministri është ai që jep miratimin ose jo nëse Shërbimi Informativ i Shtetit mund të vendosë marrëdhënie bashkëpunimi me vendet e tjera për realizimin e objektivave të tij. Amendamentet sipas diplomatëve të huaj, rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e Shërbimit Sekret dhe ta vënë atë nën një ndikim të pastër politik. Ndërkohë, në shtesat e kryera në ligjin e ndryshuar, mandati i drejtorit të Shërbimit Informativ bëhet 5 vjet dhe me të drejtë riemërimi vetëm një herë, ndërkohë që më parë nuk përcaktohej afati i qëndrimit në krye të SHISH-it.

Kalendari

Në seancën e 18 marsit është përfshirë edhe projektligji “Për dokumentin elektronik”; ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për planifikimin e territorit”. Në rendin e ditës së datës 4 mars është përfshirë edhe projektligji për Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative. Ndryshe kjo nismë është cilësuar si ligji për Gjykatën Administrative dhe kërkon plot 84 vota për t’u miratuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›