E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqiza vazhdon protestat, rëndohet shëndeti i grevistëve

Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e disa prej grevistëve është tepër kritike. Fillimi i negociatave me firmën austriake ACR dështoi për dy ditë reshtë, për shkak të mosmarrëveshjeve për vendin se ku do të zhvillohej takimi.

Minatorët kërkojnë që takimet të zhvillohen vetëm në Bulqizë, as në Tiranë e as në Peshkopi. Një nga përfaqësuesit e ACR-sa ka paralajmëruar se do të mbërrijë në Peshkopi për të nisur negociatat, por minatorët nuk pranojnë.

Dhjetëra minatorë, qytetarë dhe familjarë të minatorëve grevistë u mblodhën sot rreth orës 08:00 në qendër të Bulqizës, për të vazhduar protestën në mbështetje të grevistëve të cilët po rrezikojnë jetën për plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike.

Më pas protestuesit janë nisur, në këmbë, drejt Qafës së Buallit, dy km larg qendrës së Bulqizës, për të bllokuar sërish aksin nacional Tiranë-Peshkopi.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ka forca të shumta policie, të cilat po mbajnë nën vëzhgim situatën. Protesta nisi dje paradite me bllokimin e këtij aksi nacional për gati dy orë.

Pati dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë të cilët kërkonin lirimin e rrugës, ndërsa u ndaluan pasditen e djeshme tre sindikalistë të minatorëve.

Minatorët kërkojnë rritjen e pagës me 20%, investime në nivelet 16-20 të minierës, të garantohet siguria dhe kushtet e punës, të largohet drejtori i ACR-së, Mehdad Zogu. /Start/

                                                                                             2011-08-11 09:27
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›