Bulqizë, dështon plani për ngritjen e kampeve me çadra
Edhe në ditën e pestë pas rënies së tërmetit, banorët e komunave më të goditura, Gjoricë, Shupenzë, Zerqan dhe Ostren të rrethit Bulqizë, mbeten në kërkim të një çadre ku të mund të fusin kokën. "Të paktën të kemi një fletë çadre, ku mund të fusim një krevat për të mos fjetur nën qiell të hapur, pasi netët kanë nisur të ftohen", thonë banorët. Ndërkohë, kur ka kaluar edhe dita e pestë nga rënia e tërmetit, shpresat e banorëve për ardhjen e ndihmave në ushqime tashmë janë zbehur dukshëm. Për të moshuarit, shpresa e vetme për jetesë mbetet riparimi i shtëpive të dëmtuara. Derisa të rregullojmë shtëpitë, thonë ata, do të vazhdojmë të jetojmë në çadra edhe pse në kushte aspak të përshtatshme ku do të na duhet të gatuajmë, ushqehemi dhe flemë. Vështirësitë më të mëdha i kemi ne gratë, thotë Sadetja, një grua rreth të 50-tave nga Gjorica, pasi na duhet të kujdesemi për të gjithë familjen. Kërkesa këmbëngulëse e banorëve për të ngritur çadra familjare pranë banesave të tyre ka bërë që të dështojnë përpjekjet e autoriteteve lokale për ngritjen e kampeve. Kështu, sipas kryetarit të Komunës Shupenzë, Moiz Llani, kampingu i ngritur pranë kësaj komune tashmë nuk ekziston. "Dje u detyruam ta prishim, sepse asnjë nga të mbeturit pa strehë nuk erdhi për t‘u akomoduar në të", thotë kryekomunari Llani, ndërsa sqaron se këto çadra janë shpërndarë për familjet në nevojë. Deri tani janë shpërndarë 180 çadra për familje me banesa të dala jashtë përdorimit ose të dëmtuara rëndë. Por kërkesat vazhdojnë për çdo ditë në rritje. Kështu, vetëm paraditen e djeshme janë regjistruar 30 kërkesa për çadra, thotë kryetari. Ndërkohë, shumë prej banorëve, banesat e të cilëve nuk pësuan dëme serioze nga tërmeti i 6 shtatorit, vazhdojnë të qëndrojnë jashtë, nga frika e ndonjë lëkundjeje tjetër të tokës.