Ngec te tuneli i Ujit të Ftohtë autobusi
Drejtuesi i një autobusi me targa të Tiranës nuk e ka vënë re sinjalistikën rrugore para se të futej në tunelin e Ujit të Ftohtë dhe mjeti ka ngecur aty, duke bllokuar për gati një orë qarkullimin. Tabela në hyrje të tunelit paralajmëron se aty mund të futen vetëm mjete me lartësi më të vogël se 320 centimetra, por shoferi nuk ia ka hedhur fare sytë. Kabina e autobusit ka prekur tavanin shkëmbor të tunelit në katër metrat e fundit përpara daljes dhe për pasojë mjeti ka mbetur i bllokuar në vend. Tentativa për ta nxjerrë duke shfryrë gomat ka rezultuar e kotë dhe autobusi ka dalë vetëm pasi kabina është shqyer. Policia rrugore është detyruar të devijojë lëvizjen e mjeteve në një rrugë dytësore për më shumë se një orë.