E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri rrethon fshatin, evakuohen banorët

Një vatër zjarri ka rrezikuar seriozisht banorët e fshatit Kaçinar të rrethit të Mirditës. Banorët e një lagjeje janë evakuuar pasditen e djeshme, ndërkohë që katër shtëpi janë shkrumbuar nga flakët që kanë rrezikuar të përfshijnë dhe katër banesa të tjera. Sipas informacionit të marrë nga Drejtoria e Pyjeve në Lezhë një zjarr i fuqishëm, i rënë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Kaçinar të rrethit të Mirditës ka rrezikuar tetë banesa të fshatit.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë shkuar punonjës të policisë pyjore, zjarrfikës, efektivë të policisë së rendit, si dhe përfaqësues të prefekturës dhe këshillit të Qarkut të Lezhës, të cilët kanë analizuar situatën. Ekipet e zjarrfikësve, të ndihmuar dhe nga banorët e zonës janë përpjekur të shuajnë zjarrin, por flakët të favorizuara nga era janë përhapur me shpejtësi dhe për pasojë katër shtëpi janë djegur plotësisht.

Flakët kanë vazhduar të përhapen në të gjithë zonën duke krijuar rrezik serioz për fshatin. Në këto kushte, autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmën e Ministrisë së Brendshme për dërgimin e mjeteve fluturuese për të vënë nën kontroll situatën nga ajri. Ndërkohë, me ndihmën e policisë është bërë i mundur edhe evakuimi i banorëve të zonës së rrezikuar nga zjarret.

Një tjetër vatër zjarri e regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes në malin Vele, në një zonë shumë të thyer malore, ka djegur një banesë dhe ka rrezikuar disa të tjera. Zjarri i cili ka ardhur nga zona e Mirditës është përhapur me shpejtësi dhe në malin Vele në territorin e Rrethit të Lezhës, i favorizuar nga era. Për pasojë, një banesë është djegur dhe disa hektarë pyje janë shkrumbuar plotësisht.

Zjarret kanë qenë të pranishëm dhe në zona të tjera të vendit. Kështu në Gramsh, një shkëndijë elektrike duket se është bërë shkak për djegien e pajisjeve elektrike të një lokali në qendër të qytetit. Sipas burimeve zyrtare, rreth orës 02:00 të ditës së djeshme, në një lokal në lagjen "Holta" të qytetit Gramsh, në pronësi të 42-vjeçarit Leonard Tabaku është regjistruar një zjarr. Ekspertët kanë konstatuar se janë dëmtuar disa pajisje. Sipas deklarimit të pronarit, vlera e tyre shkon rreth 300.000 lekë dhe paraprakisht mendohet se shkaku për rënien e zjarrit ka qenë nga rryma elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›