Kryqi i Kuq arrin në zonën e tërmetit
Pas pesë ditësh, Kryqi i Kuq Shqiptar, është kujtuar të zbresë me ndihma për banorët e rrethit të Bulqizës, të goditur keqas nga tërmeti i së dielës. Paraditen e djeshme, dy kamionë të kësaj organizate, të ngarkuar me ndihma, janë stacionuar në magazinën e rezervave të shtetit në Komunën Shupenzë. Banorë dhe fëmijë kureshtarë të Shupenzës janë grumbulluar për të mësuar në lidhje me ndihmat e sjella. Kryetari i Komunës Shupenzë, Moiz Llani, tha për "Shqip", se ndihmat e ardhura nga Kryqi i Kuq Shqiptar janë detergjente, dyshekë, shtretër, çarçafë, bidonë uji etj. Këto ndihma, pas magazinimit pritet të ndahen për tri komunat më të goditura, Gjoricë, Shupenzë dhe Zerqan, ku fare pak prej familjeve në nevojë do të përfitojnë.