E Diel, 1 Nëntor 2026

“Integrimi i vendit, përgjegjësi e qeverisë”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka theksuar dje të metat e qeverisjes së djathtë në këto 4 vite qeverisje. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, pasi përshëndeti mbylljen e ciklit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian tha se tashmë përgjegjësia e integrimit të vendit i mbetet Qeverisë. Kjo përgjegjësi, sipas tij, nis që nga procesi i lehtësimit të regjimit të vizave deri në aplikimin për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, që janë dy nga sfidat më të afërta. “Për fat të keq, ne konstatojmë se qeveria Berisha , sidomos në këtë fazë, kur është përfshirë edhe nga avujt e fushatës elektorale, nuk po tregon ndërgjegjen e duhur për t u përballur me sfidat dhe me prioritetet e vendit”, - tha Xhufi. Por sipas tij, Qeveria jo vetëm nuk ka dëgjuar, por ka injoruar totalisht vërejtjet që kanë ardhur, qoftë nga aktorët e tjerë politikë, socialë dhe ekonomikë të vendit, por ka injoruar gjithashtu edhe vërejtjet dhe këshillat e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të institucioneve të rëndësishme financiare, siç është edhe rasti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili jo rastësisht u reduktua, për vullnet të kësaj Qeverie, nga statusi i një institucioni që merrte pjesë në përpunimin e politikave ekonomike, bashkë me Qeverinë shqiptare, në një institucion thjesht këshillues. “Ne shohim me shumë shqetësim që në një vit, i cili paralajmërohet të jetë një vit i vështirë për të gjithë botën, natyrisht edhe për Shqipërinë, që do të jetë një vit i krizës së madhe, jo vetëm i sistemit financiar, por edhe i sistemit produktiv, Qeveria shqiptare është tërësisht e papërgatitur dhe e pamotivuar për t u përballur me këtë sfidë”, - u shpreh ai. Numri dy i LSI-së shtoi se Qeveria po kaq e papërgatitur është dhe për rolin e saj rregullator dhe garantues të zhvillimit të vendit. Xhufi kritikoi politikat e ndjekura nga Qeveria në investime, në luftën kundër korrupsionit, por dhe qëndrimin ndaj medias. “Hapat e mëtejshëm që Shqipëria do të kryejë në drejtim të Evropës, siç është ai i liberalizimit të vizave apo i aplikimit për statusin e vendit kandidat varen, në radhë të parë, nga vullneti dhe nga angazhimi konkret i Qeverisë shqiptare”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›