Bulqizë, Rama: “Vota për PS-në u jep fund fatkeqësive dhe mjerimit në miniera”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të turit të tij elektoral, ka zhvilluar një takim me banorë të qytetit të Bulqizës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim kryesocialisti Rama akuzoi politikën e vjetër për braktisjen që i ka bërë qytetit të Bulqizës. Ai tha se për shkak të varfërisë ekstreme shumë minatorë kanë humbur jetën në galeritë e minierave, ndërkohë që vazhdon ende të vuajë mungesën e shpresës dhe zhvillimit. Por Rama premtoi se pas 28 qershorit jo vetëm Bulqiza, por e gjithë Shqipëria do të ndryshojë rrënjësisht.
Ai u tha banorëve
Ai është angazhuar se pas 28 qershorit do të ndryshojnë kushtet e punës në minierat e Shqipërisë, por edhe në të gjitha minierat e vendit. Gjatë fjalës së tij Rama është shprehur se duhet t’i rikthehet dinjiteti qytetit simbol të minatorëve, pasi ky qytet nuk mund të humbasë më çdo muaj një jetë, duke nënvizuar se kjo histori e dhimbshme e këtij qyteti duhet të marrë fund me votën për PS-në më 28 qershor.
Bulqiza
Rama tha se ka qenë vazhdimisht pranë banorëve të Bulqizës, ndërkohë që ky qytet është braktisur totalisht nga qeveria aktuale. Kryesocialisti tha se qeverisja e ardhshme e Partisë Socialiste do t’u japë fund fatkeqësive që ndodhin në minierat e këtij qyteti, mbijetesës së mundimshme të banorëve dhe korrupsionit qeveritar. “Është e disata herë që unë vij këtu në Bulqizë, ku kam qenë në ditë të vështira, që ju i keni kaluar shpeshherë në 4 vitet e fundit për shkak të mungesës së plotë të vëmendjes dhe cinizmit të kësaj qeverie, e cila i ka kthyer shpinën Bulqizës, u ka kthyer shpinën minatorëve, e cila e quan diçka normale që çdo muaj, babai i disa fëmijëve, bashkëshorti i një nëne të mos kthehet dot në shtëpi për shkak të kushteve çnjerëzore të minierës së Bulqizës, e cila është pasuri e përbashkët, që fare mirë mund të ishte themeli i mirëqenies së përbashkët. Por, për fat të keq, ajo është zgafella e fatkeqësive të njëpasnjëshme, e mbijetesës së stërmundimshme dhe e një korrupsioni të cilit ne do t’i japim fund më 28 qershor. Unë nuk e kërkoj votën tuaj për ta marrë shtetin dhe për ta kthyer nga një vegël të demokratëve, në një vegël të socialistëve, për të bërë me fëmijët dhe prindërit e këtij vendi kopetë e mitingjeve të ardhshme. Bulqiza është shembulli më kuptimplotë i kësaj politike të vjetër, të kthyer me kurriz nga njerëzit dhe këtu në Bulqizë krenaria dhe dinjiteti i çdo njeriu, i çdo burri dhe gruaje, i çdo prindi, pavarësisht bindjeve të tij, duhet të vihen në vend me votën e 28 qershorit, ku e ardhmja duhet të ndahet nga e shkuara”, - tha Rama.
Votat
Nga qyteti i minatorëve Rama ka bërë apel për të votuar një politikë të re, e cila do t’u japë fund varfërisë, papunësisë e kushteve çnjerëzore të punës. Do të rikthejmë, premtoi ai, jetesën me punë të ndershme në këtë vend. Rama tha se kërkonte votën e banorëve të Bulqizës, në mënyrë që të rikthehej në minierat e Bulqizës jo si vizitorë, por për të angazhuar për të ndryshuar kushtet e vështira në këto miniera. “Unë ua kërkoj votën, që siç kam hyrë thellë në minierë për të parë kushtet çnjerëzore në të cilat punojnë minatorët e Bulqizës, të vij përsëri dhe të hyj përsëri në minierë, por jo për t’i parë, por për t’i ndryshuar ato kushte me qeverinë që do ta vendosim në dispozicionin tuaj. Ja u kërkoj votën për secilin prej jush, sepse dua që Bulqizës ne t’i kthejmë shpresën, që Bulqizës ne t’i kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur 18 vjet me radhë, që Bulqizës ne t’i kthejmë punën e ndershme, por njëkohësisht edhe të sigurt, që Bulqizës ne t’i kthejmë gjithçka që i duhet”, - deklaroi kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.
15 Qershor 2009