E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Belsh: “LSI-ja, forca përcaktuese e qeverisjes së majtë”



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim masiv me qindra përkrahës të LSI-së në Belsh të Elbasanit. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i kandidatëve për deputetë dhe i “Planit për veprim” të LSI-së në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij Meta tha se “ne kemi dy gara; një garë e kemi në radhë të parë me Sali Berishën për zgjedhjet e 28 qershorit dhe kjo është gara kryesore, por edhe një garë të bukur me njëri-tjetrin, që ndryshe nga partitë e tjera që i rreshtojnë njerëzit në listë si ushtarët, ne kemi një marrëveshje dhe jemi në garë me njëri–tjetrin, sipas së cilës ai që merr më shumë vota në zonën e tij ka si prioritet për të qenë deputet”. Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit, Meta tha se LSI-ja do të jetë forca përcaktuese e qeverisjes së majtë. “Më 28 qershor, me votën tuaj dhe me votën e shumë e shumë shqiptarëve në të gjithë vendin, LSI-ja do të jetë forca kryesore dhe përcaktuese për maxhorancën e ardhshme dhe pas 28 qershorit nuk do të vijmë më si përfaqësues të opozitës, por do të vijmë në krye të qeverisë së ardhshme. Ndaj është Koha për Veprim, për t’u ndarë nga qeveria e Berishës dhe për ta nxjerrë në pension politik, por është koha për t’i dhënë mbështetje një programi politik që ndihmon mbi të paktën 1 milion shqiptarë që të ndahen nga varfëria dhe papunësia. E vetmja forcë politike që i ka bërë të qarta tri prioritetet kryesore, që janë punësimi, punësimi, punësimi dhe ka treguar se si mund të hapen 100 mijë vende pune të qëndrueshme në katër vitet që vijnë, 50 mijë nga të cilat në bujqësi dhe agropërpunim është LSI-ja. Prandaj duhet mbështetur LSI-ja, sepse ka një vizion të qartë për ta nxjerrë bujqësinë nga kriza, ka një program të qartë për të fuqizuar rolin e shtetit në programet për subvencionimin e prodhimit që nga imputet bujqësore dhe deri te 20 përqindëshi i masës së prodhimit. Ka një program të qartë për të krijuar industrinë agropërpunuese”, - tha Meta.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›