Idealet që vdesin në tribunat elektorale
Albert Gjoka
Sikur të mos mjaftonin mesazhet e dhunshme që na vijnë çdo ditë para syve dhe nëpër këmbë përmes televizorit, posterave, billdborderave apo fletëpalosjeve që arrijnë të futen deri në dhomat e gjumit të shtëpive tona, pa respektuar asnjë kod, pa marrë asnjë leje dhe të paktën pa paguar asnjë taksë, fëmijët janë të parët që po viktimizohen, kudo, në çdo vend që ata marrin frymë dhe jetojnë; madje edhe nëpër auditorët e shkollave, të cilat janë boshatisur me kohë sepse do të duhet që të mbushen sheshet. Vendin e përrallave, lodrave, sheshet të lojërave dhe këngëve për fëmijë e kanë uzurpuar debatet politike, reklamat bajate dhe sheshet e mbushura vetëm me pankarta që rrinë varur. Shqipëria po ndryshon me skemat e agjit-propit të dikurshëm, i cili nuk kursente as fatosat dhe pionierët.
Para pak javësh një organizatë rinore lëshoi alarmin për shpërdorimin e fëmijëve nga partitë politike nëpër takimet elektorale. Fill pas saj, të njëjtin mesazh përcollën Presidenti i Republikës dhe Avokati i Popullit, me shpresën se ministri i Arsimit, drejtoritë arsimore, drejtorët e shkollave apo mësuesit do të reagonin, por timpani i veshëve të tyre është çarë nga zhurmat dhe çjerrjet elektorale. Ata i janë bashkuar ushtrisë së fansave dhe të verbërve politikë që paguhen për të duartrokitur dhe buzëqeshur në këmbim të vendit të punës, privilegjeve apo bakshisheve të vogla. Ata paguhen thjesht për të parë me sy dhe jo për të dëgjuar me veshë. Sikur të mos mjaftonin këto, politika po tregohet e pangopur deri në babëzi, pasi po kërkon që të thyejë mashtrimin, pabesueshmërinë dhe djallëzinë e figurave të politikave me pamje engjëllore fëmijësh. Këto e bëjnë më të besueshme tribunën para mitingashëve; sidomos kur fillojnë çjerrjet dhe fyerjet; akoma më e nevojshme bëhet prania e tyre kur kryetarë politikë nxjerrin nga pjesa e errët e mendjes dhe e shpirtit fjalorin më të pagojë që mund të ekzistojë, fjalët më të pazëshme, vetëm e vetëm me synimin që pafajësinë e fëmijëve ta bëjnë si vetja e tyre.
Etja dhe babëzia për pushtet, që fitohet me elektorat të pafajshëm, nuk pyet as për ligj dhe as për konventa, nuk pyet as për moral, nuk pyet as për dëshirat e bukura që kanë prindërit për fëmijët e tyre. Ato nuk kursejnë as ëndrrat e bukura që kanë vetë fëmijët dhe adoleshentët për ta ndërtuar ashtu siç e duan jetën e tyre, për ta dashur atdheun ashtu siç ata e mendojnë dhe për të qenë individë dhe jo turma. Modeli dështak i këtyre 18 viteve, batërdia dhe kaosi i vlerave mbeten aq imponues, sa ky terren nuk i pranon filizat e njomë të individualitetit dhe integritetit. Regresi lufton me shpirt ndër dhëmbë me çdo mjet dhe çdo kusht që të bëjë si veten progresin. Mediokri dhe injoranti kanë pushtetin e gjithçkaje dhe të çdo gjëje.
Këtë vit adoleshenti 18-vjeçar shqiptar, i lindur në ditët e para të ardhjes së demokracisë dhe i rritur me vuajtjet dhe hallet e mëdha të tranzicionit, shkon të votojë për herë të parë. Por ai nuk është i sinqerti dhe i zgjuari, nuk është pasionanti pas së vërtetës dhe idealisti i pabindur; ai është i hallakaturi pas të vërtetave të rrejshme që thuhen çdo ditë nëpër mitingje, pas mashtrimeve që kanë nisur që nga auditorët e shkollave, apo përrallave politike që janë thënë orar e pa orar nëpër ekranet e televizioneve që po i zënë frymën mendimit të lirë. Më 28 qershor ai shkon për të votuar jo atë që do dhe atë që e meriton, por për atë që mashtron apo e korrupton në mënyrë gri, atë që i blen idealin për hiç gjë. Zgjedhësi me moshën 18-vjeçare, produkti që shkon sot për herë të parë te kutia e votimit, pa dyshim nuk është modeli që kërkojmë, sepse idealet e tij janë djegur në tribuna dhe mitingje politike si ato të këtyre javëve të fundit. Ky është momenti më i mirë për të analizuar këtë fenomen, pas 18 vjetësh, për atë që kemi kultivuar dhe për të gjetur fajtorin te shteti dhe për të treguar se shteti ekziston pikërisht aty ku lind pushteti i radhës.
15 Qershor 2009