E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, atentat me armë në makinë biznesmenit të kromit

21/12/2011  Plagoset rëndë dhe një shtetas tjetër

BULQIZE- Një atentat me armë zjarri është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së të hënës në Bulqizë, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona, njëri prej të cilëve biznesmen i kromit. Burime policore lokale njoftojnë se shtetasit Diamant Tranci dhe Luan Drenova janë qëlluar me armë automatike nga persona që po udhëtonin me një makinë tip fuoristradë. Sipas burimeve, dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi për shkak të plagëve të marra kishin nevojë për trajtime të specializuara. Burimet shtojnë më tej se agjentë të Antikrimit po hetojnë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët. Atentate të tilla janë pothuajse në rend të ditës në vend dhe ndryshe nga këtë herë, në ditët e kaluara kanë përfunduar me vrasjen e disa qytetarëve. Katër ditë më parë, në një nga rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës, një person u vra dhe një tjetër u plagos në një atentat që kishte në sfond gjakmarrjen. Viktima shtetasi Nush Gjerkaj, i cili punonte si shofer autoshkolle, ishte duke pirë kafe me një kolegun e tij, kur brenda në lokal u fut një person dhe e qëlloi disa herë me pistoletë. Ndërsa më herët në fshatin Gjegjan pranë qytetit të Pukës, një 60-vjeçar u ekzekutua me një plumb në kokë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›