Bulqizë, bllokohet privatizimi i një sektori në minierë
Kreu sindikal, Kol Nikolli: Është ngritur një grup teknik për verifikimin e procedurave. Dosje për në prokurori
Minatorët në ditën e 3-të të protestës bllokuan privatizimin e sektorit D: Është i paligjshëm
BULQIZË-Në ditën e tretë të grevës, minatorët e Bulqizës arritën të bllokojnë procesin e privatizimit të sektorit D të minierës. Sektor që u ishte dhënë 5 firmave, sipas minatorëve, në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë, sipas kryetarit të konfederatës së minatorëve, Kol Nikolli, po hartohet dosja përkatëse e këtij abuzimi për ta dërguar në prokurorinë e Dibrës.
***
Sipas minatorëve dhe kreut sindikal, ky sektor cilësohet me rrezikshmëri të lartë, ndërsa privatizimi i tij për 2 firma të reja dhe rinovimi i licencës së shfrytëzimit për tri të tjera është bërë në kundërshtim flagrant me ligjin minerar. Si pasojë e këtij privatizimi, ishte paralajmëruar nga firmat që i kanë privatizuar galeritë e këtij sektori, që të largoheshin nga puna 85 minatorë me përvojë që punonin aty. Vetë punëtorët e quanin veprim të padrejtë, ndaj kishin nisur dhe protestën. Por jo vetëm ata. Protestës i janë bërë solidarë dhe pjesa tjetër e minatorëve, që punojnë në pjesën e koncesionit, duke kundërshtuar ashpër shkurtimin e vendit të punës për shokët e tyre minatorë dhe aq më tepër privatizimin abuziv të këtij sektori me krom të pasur, por dhe me rrezikshmëri të lartë.
***
Për këtë e probleme të tjera, minatorët dhe këshilli sindikal kishin nisur peticione të shumta në drejtim të institucioneve të larta të shtetit, por deri më dje pa marrë përgjigje, ndaj i janë drejtuar protestës duke paralajmëruar përshkallëzimin e saj. Dhe jo vetëm në këtë aspekt. "Kemi kërkuar zbatimin e marrëveshjes kolektive të punës, përmirësimin e kushteve të punës, ndaljen e privatizimit të atyre sektorëve minerarë që janë dhënë kohë më parë me koncesion, por më vonë janë ndryshuar hartat e koncesionit duke favorizuar individë të caktuar, miratimin e statusit të minatorit, emërimin e një mjeku dhe ndihmësi të tij në minierë, etj",- është shprehur për gazetën kryetari sindikal Dilaver Përkoxha.
Ndër të tjera minatorët vazhdojnë të ankohen për kushtet e punës dhe për këtë kanë lënë afate për kompaninë koncesionare.
***
Me protestën e djeshme u arrit që të bllokohej shfrytëzimi i galerive të sektorit D nga firma që u ishin dhënë licenca nga ministria e Ekonomisë. "Për verifikimin e shkeljeve dhe procedurave të ndjekura është ngritur një grup teknik, në të cilin kemi dërguar dhe dy ekspertët tanë",- thotë Nikolli. Por minatorët e Bulqizës nuk kanë aspak besim tek kreu i Ekonomisë. "Ndaj do t'i drejtohemi me dosjen përkatëse dhe organit të prokurorisë",- theksoi kreu sindikal Nikolli, për shkeljet ligjore të bëra nga kjo ministri në privatizimin e këtij sektori minerar.