Diveroli shet traktorë dhe pajisje bujqësore
Dëshmia e gjyshit, Angelo: Efraimi shet çfarëdolloj gjëje që gjen me të lirë në internet, mjafton të ketë blerës
Kompania është regjistruar sikur i përket një pakice kombëtare për të fituar ulje nga taksat
Efraim Diveroli, 22-vjeçari pas kontratës 300 milionë dollarëshe të fishekëve shqiptarë, shet çfarëdolloj gjëje që gjen me të lirë në internet. Ai ka shitur edhe traktorë dhe pajisje bujqësore, mjafton që të jenë me çmim të lirë dhe të ketë blerës për to. Kështu e ka komentuar gjyshi i tij tregtinë e bërë nga 22-vjeçari amerikan. Një tjetër shkelje që është gjetur në dosjen e tij është mashtrimi duke e regjistruar kompaninë si të një pakice kombëtare për të përfituar nga taksat. Kjo gjë është pohuar edhe nga ish- ortaku i tij, David Packouz.
Kur komiteti i kongresit të SHBA-së të hetojë se si një kontratë qeveritare 300 milionë dollarëshe për furnizimin e ushtrisë dhe policisë së Afganistanit me municione i është dhënë një firme të vogël nga Miami Beach e drejtuar nga 22-vjeçari Efraim Diveroli do të zbulojë se ajo është një "kompani minoriteti". Në këtë moment do të ngrihet pyetja se si kompania AEY, e cilësuar si kompani e pakicave kombëtare, është vendosur në listën e atyre që plotësojnë kushtet për aplikimin e ushtrisë. Kompanitë e minoritetit janë të klasifikuara si të disavantazhuara për të marrë kontrata të këtij lloji. Që në vitin 1984 komuniteti "Chasidic" është klasifikuar nën këtë kategori së bashku me Hispanikët, Afroamerikanët, Indianët dhe disa të tjerë. (Çifutët nuk janë klasifikuar si minoritet).
David Packouz, 25- vjeçari i licencuar si masazhit dhe që është vendosur në postin e zv/presidentit të kompanisë ka pohuar për një gazetë çifute se as ai e as Diveroli janë "Chasidic". Madje ai ishte vetëm një këshilltar në këtë kompani dhe ai nuk ishte në dijeni që në regjistrimin e kompanisë ishte shënuar kompani minoriteti. Vetë Diveroli nuk ka pranuar që të komentojë këtë çështje. Por dokumentet e saj ngrenë pyetjen se si u arrit të prokurohej një kontratë kaq fitimprurëse me qeverinë amerikane.Sipas mediave amerikane, kjo sugjeron që kompania është e përfshirë në trafikun ilegal të armëve dhe se armët mund të jenë të rendomta.
Babai i Packouz, Kalman, është një rabin dhe drejtor ekzekutiv i Fondit Izraelit Aish HaTorah të Jeruzalemit, thotë se i biri nuk është përfshirë në kompani të paktën gjatë dhjetë muajve të fundit. madje ai nuk është i përfshirë aspak në këtë çështje. "Unë di që Efraim Diveroli ka bërë tregti armësh që kur ishte 17-vjeç. Ai ka qenë i suksesshëm dhe i aftë të përmbushë kontratat",- tha rabini Rabbi Packouz.
Ndërkohë gjyshi i Efraim Diverolit, Angelo, tregon se nipi i tij ka dokumentet e duhura për të treguar se veprimet e tij ishin ligjore. "Ushtria kontrolloi për të përpara se ti jepte kontratën. Ata erdhën në Miami Beach. Askush nuk merr një kontratë 300 milionë dollarëshe pa u kontrolluar. Atij iu dha kontrata sepse kishte një çmim të mirë. Ai nuk e vodhi kontratën. Ai bëri një ofertë dhe ata kontrolluan të dhënat e tij",- thotë Angelo Diveroli. Ai shpjegon se nipi i tij e ka nisur biznesin nga një kompjuter në një apartament të vogël në Miami. Sipas Angelo Diverolit, nipi i tij jeton në një apartament me qira dhe punon kryesisht me disa kompani aziatike që janë 16 orë pas SHBA-së. Për këtë arsye atij i duhet të punojë natë e ditë. "Nipi im është më shumë se një shitës armësh. Ai ka kontrata për një varietet produktesh me vende të Amerikës Latinë dhe Amerikës Qendrore. Çfarëdo që ata duan, ai e gjen. Jo vetëm armë. Efraimi ka shitur edhe makineri të ndryshme, produkte bujqësoredhe traktorë. Çfarëdolloj gjëjë që ka në internet, ai e gjen me një çmim të lirë",- thotë gjyshi i tij. Madje Diveroli mohon se municionet e dërguara në Afganistan nga nipi i tij nuk janë kineze. Edhe pse ato janë marrë në Shqipëri dhe vetëm sa u është ndryshuar kutia mbështjellëse për të fshehur origjinën e tyre. "Ne kemi avokatë që mund të tregojnë këtë gjë",- thotë ai. Por më pas shpjegon se ato nuk janë blerë direkt në Kinë por në Shqipëri. "Ne kemi embargo me Kubën por ka shumë produkte amerikane që shiten në Kubë duke kaluar nga vendet e tjera. Kështu është edhe puna e fishekëve kinezë",- thotë Angelo Diveroli.